Amerikani e vret aksidentalisht shokun e ngushtë përderisa po ia tregonte armën

  • G.G /
  • 20 June 2020 - 13:22
Amerikani e vret aksidentalisht shokun e ngushtë përderisa po ia tregonte armën

Një burrë 26-vjeçar nga Florida e Shteteve të Bashkuara e ka vrarë aksidentalisht shokun e ngushtë përderisa po ia tregonte armën dhe kur të dy po luanin lojëra kompjuterike.

Shea Harkins nga Palm Harbor në Florida u arrestua dhe u akuzua për vrasje pas incidentit që raportohet të ketë ndodhur të enjten në mbrëmje, shkruan “Daily Mail”.

Përmes një deklarate për medie, zyra e policisë lokale njoftoi se në shtëpinë e të dyshuarit atë natë ndodhej Sean Cook, 26 vjeç.

Shokët ishin duke luajtur me lojëra kompjuterike në dhomën e personit të dyshuar, kur rreth orës 7 e 48 minuta, Harkins shkoi për ta marrë pushkën e tipit Colt M4, të cilën ishte duke e modifikuar para se shoku i tij t’i shkonte në shtëpi.

Gjatë dhënies së intervistës para policisë, Harkins tha se me shaka ia kishte drejtuar pushkën shokut, i cili i kishte thënë “Çfarë, a do të më qëllosh?”

Policia tha se Harkings e ka pranuar se ia tërhequr këmbëzën armës, duke menduar se ajo nuk ishte e mbushur me plumba.

Për fat të keq, arma e kishte një plumb në grykë. Kur Harkins ia kishte tërhequr këmbëzën armës, plumbi e goditi shokun e tij në gjoks.

Ekipi i emergjencës e kishte dërguar personin e plagosur në spital, por ai u shpall i vdekur në orën 8 e 55 minuta.

Harkins ishte arrestuar disa orë më vonë, por u lirua për t’u mbrojtur në liri pasi i dorëzoi 10,000 dollarë si dorëzani. Policia është duke i vazhduar hetimet.

(Kosova Sot Online)