Britania mund t’i largojë pengesat nga rrugët për ta zvogëluar ndotjen e ajrit

  • E.K /
  • 20 June 2020 - 15:53
 Britania mund t’i largojë pengesat nga rrugët për ta zvogëluar ndotjen e ajrit

Rrugët e Britanisë mund të mbesin pa pengesa pasi ministri britanik i Mjedisit, Michael Gove, ka kërkuar nga këshillet lokale që t’i largojë ato si pjesë e planit për zvogëlimin e ndotjes së ajrit.

Ministri Gove tha se këshillet e qyteteve duhet ta bëjnë prioritet përmirësimin e planit të rrugëve dhe kryqëzimet, duke e shqyrtuar largimin e pengesave në rrugë, për shembull, shkruan “Independent”.

Ky udhëzim është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për zvogëlimin e ndotjes së ajrit, që do të mund të ndikonte gjithashtu që vozitësit e veturave me naftë të goditen me një taksë të re.

Në dokumentin me 98 faqe, të publikuar nga Departamenti i Mjedisit, Ushqimit dhe Çështjeve Rurale, theksohen planet për zvogëlimin e nivelit të dyoksidit të azotit pranë rrugëve, që është rritur shumë viteve të fundit.

Shumë qytete në Mbretërinë e Bashkuar tashmë i kanë kaluar kufijtë ligjorë të ndotjes dhe dhjetëra mijëra vdekje për çdo vit lidhen me ndotjen e ajrit.

Besohet se pengesat në rrugë i dyfishojnë gazrat përmes ngadalësimit dhe përshpejtimit të vazhdueshëm të veturave. Sipas një hulumtimi të Kolegjit Imperial të Londrës, një veturë me naftë liron 98 për qind më shumë dyoksid të azotit kur kalon nëpër një rrugë me pengesa në krahasim me vozitjen nëpër rrugë me “jastëkë rrugorë” që janë më të ngushtë dhe më të imët.

Shërbimet emergjente kanë thënë se pengesat në rrugë mund të ndikojnë në vonimin të auto-ambulancave, kamionëve të zjarrfikësve dhe veturave të policisë.

Megjithatë, aktivistët për sigurinë në rrugë kanë thënë se pengesat janë jetike për ngadalësimin e veturave në zona me vendbanime, përfshirë vendet afër shkollave, dhe rrjedhimisht shpëtojnë jetë.

Kohëve të fundit, Komuna e Prishtinës ka vendosur pengesa në rrugë me qëllim të uljes së shpejtësisë së veturave. Këto pengesa njëkohësisht mund të shfrytëzohen si vendkalime për këmbësorë.

(Kosova Sot Online)