Akuzohet se po fsheh shifrat, por sa njerëz u infektuan realisht nga Covid-19 në Kinë?

  • G.G /
  • 20 June 2020 - 19:02
Akuzohet se po fsheh shifrat, por sa njerëz u infektuan realisht nga Covid-19 në Kinë?

Në fund të vitit të kaluar në Kinë pati 10 herë më shumë raste me grip sesa ka pasur vjetët e tjerë. Sipas të dhënave zyrtare të Kinës, në dhjetor të vitit 2019 ka pasur 1.2 milionë raste me grip, në ndryshim nga dhjetori i 2018, kur ka pasur vetëm 130.000 raste.

Koronavirusi nuk ishte identifikuar ende në atë kohë. Shefat e shëndetësisë së Pekinit paralajmëruan për një sëmundje misterioze më 31 dhjetor, pasi 40 pacientë ishin sëmurur keq me pneumoni.

Nisur nga këto të dhëna filluan të ngrihen pyetje lidhur me saktësinë e shifrave të e koronavirusit në Kinë dhe shumë studime tregojnë se numri i të infektuarve dhe vdekjeve është shumë më i lartë nga numri zyrtar i publikuar nga Kina.

Një studim i publikuar këtë javë, thoshte se numri i vdekjeve në Kinë për shkak të Covid-19 mund të jetë 14 herë më i lartë sesa numri i dhënë nga Pekini.

Ndërkohë studiuesit amerikanë thonë se 36.000 njerëz kanë ndërruar jetë vetëm në Wuhan, deri më 23 mars. Ndërkohë numri i dhënë nga Kina në atë kohë ishte 2.524 viktima.

Një tjetër studim tha se Kina e fshehu numrin e vërtetë të viktimave. Si bazë për këtë u mor fakti që në Wuhan po digjeshin deri në 2000 trupa në ditë, në javën e dytë të shkurtit, kur numri total zyrtar i vdekjeve në gjithë Kinën ishte vetëm 700.

Pekini thotë se numri total i vdekjeve nga koronavirusi në gjithë Kinën deri më sot (20 qershor 2020) është 4.634, ndërsa numri i të prekurve është 83,352.

Raportimet kaq të ulëta në Kinë, vendin ku virusi shpërtheu, kanë bërë që të hidhen hije dyshimi se shifrat s’janë të vërteta.

Presidenti Donald Trump i bëri thirrje OBSH’së në prill, që ta detyrojë Kinën të zbulojë të dhënat e sakta.

Për pothuajse dy muaj me radhë Kina nuk raportoi asnjë rast të ri, deri më 11 qershor kur njoftoi për shpërthimet e reja.

Dje Pekini publikoi të dhënat e shpërthimit të ri, duke pretenduar se vala e dytë kishte ardhur nga Evropa.

Ndërsa shkencëtarët janë ende skeptikë rreth asaj çka realisht po ndodh në Kinë.

(Kosova Sot Online)