Nga jashtë apo nga brenda, si do të përballet Vjosa Osmani me partinë pas shkarkimit?

  • E.K /
  • 22 June 2020 - 21:56
 Nga jashtë apo nga brenda, si do të përballet Vjosa Osmani me partinë pas shkarkimit?

Bring it on! Kështu përfundonte reagimi i Vjosa Osmanit, pak minuta pasi Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së ia mori nga duart çdo pozitë që akoma bartte formalisht brenda partisë. Osmani, që thotë se u shkarkua nga burrat e LDK’së, u bënte thirrje atyre të dilnin e të mateshin në zgjedhje. Sipas analistit Imer Mushkolaj, Vjosa Osmani do të mbetet në LDK për ta fituar “kalanë nga brenda”. Politologu Fitim Salihu thotë se Osmani betejën më të fortë do të bëjë duke mbetur në parti, pasi aty nuk do të humbte “staturen e lideres”. Por, pikërisht kjo është pika më e e paqartë. Nga ku Vjosa Osmani do t’i sfidojë kundërshtarët e partisë?

Me propozim të kryetarit Isa Mustafa, LDK’ja ia shoi fuqinë kryengritëse të shtunën mbrëma Vjosa Osmanit, brenda partisë duke e shkarkuar nga dy pozitat e larta partiake. Ish kandidatja për kryeministre në zgjedhjet e vitit të kaluar, tani është vetëm anëtare të thjeshtë.

Osmani, e sigurt që është më e fuqishme se të gjithë ata që i morën pushtetin që e mbante formalisht brenda partisë, i sfidoi duke ua përmendur zgjedhjet.

Si një nga protagonistet kryesore të skenës politike ditëve të fundit, ajo nisi javën e re duke dalë në terren. Filloi një fushatë “vizitat e gjelbra”, me ndalesën e parë në Obiliq.

Gjatë qëndrimit atje, Osmani nuk  tregoi nëse do ta largohet krejtësisht nga LDK-ja, por tha se rikonfirmon secilën fjalë që e ka shkruar në Facebook.

“Nuk kam asgjë për të shtuar nga ajo që e kam thënë, vetëm e rikonfirmojmë secilën fjalë që e kam thënë”, tha sot ajo.

Tashmë nuk është e qartë nëse Osmanit i ka mbetur përkrahje nga ndonjëri prej të mëdhenjve të LDK’së.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, u deklarua sot rreth shkarkimit të koleges së tij, të cilës kohëve të fundit i ka dalë shpesh në krah. Haziri ka thënë se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka paralajmëruar se lejohet mendimi ndryshe, por veprimi kundër shumicës në LDK nuk do të lejohet.

“Mustafa e mbajti fjalën”, tha ai në RTK pa marrë ndonjë pozicion të qartë rreth shkarkimit.

Analisti Fitim Salihu thotë se Osmani do të sillte freski në skenën politike, nëse ajo formon parti të re, sipas ideologjisë që ajo përfaqëson. 

“Nëse largohet dhe formon parti të re, besoj që ajo parti do të ishte një freski e skenës politike, nëse Osmani vazhdon ta mbajë pozicionin e saj të deritanishëm ideologjik. Domethënë, në rast se e formon partinë e re, shpresoj se ajo parti do të ishte një parti liberale, një parti që synon ndryshimin pa diskurs populist. Kosova ka nevojë të madhe për një parti të tillë sepse jemi kurthuar ndërmjet politikanëve me të kaluar korruptive dhe politikanëve me tendenca autoritare”, ka thënë Salihu.

Megjithatë, politologu nuk e sheh një parti të re të Osmanit më të fuqishme se ajo e LDD’së që e kishte krijuar Nexhat Daci, pas largimit nga LDK’ja.

“Sa i përket performancës elektorale të asaj partie, mendoj që ajo do të performojë më mirë sesa Nisma dhe PSD-ja (si parti të dala nga çarjet në PDK dhe VV), por më dobët nga sa presin optimistët dhe simpatizantët e saj ose më dobët sesa LDD-ja dikur (si parti e dalë nga çarja në LDK)”, ka thënë Salihu.

Por, sipas tij, situatë më e favorshme, edhe për Osmanin e edhe për LDK’në, do të ishte nëse kryeparlamentarja e tanishme vendos që të qëndrojë në LDK.

“Në rast se ajo vendos të qëndrojë në LDK, nga kjo do të përfitonte edhe LDK-ja edhe zonja Osmani. Së pari, LDK-së i konvenon Osmani brenda partisë sepse asisoj do ta konzervonte votën anti-PDK që perceptohet se shkon kryesisht tek Osmani”.

Politologu thotë se po të qëndrojë Osmani në LDK, do të arrijë ta dobësojë gardën e vjetër të partisë.

“Osmanit i konvenon të qëndrojë në LDK sepse sa më gjatë rri në parti, aq më shumë e dëmton gardën e vjetër dhe ia rrit gjasat vetes ta marrë kontrollin e partisë. Vetëm në LDK ajo mund të ngel si lidere nacionale. Në një parti të re, duke qenë kryetare e partisë së katërt ose pestë, ajo do ta humbte staturën e lideres nacionale”, ka thënë ai.

Analisti Imer Mushkolaj beson se Osmani e shkarkuar do të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje në LDK.

“Ajo do të qëndrojë për ta marrë kalanë nga brenda”, ka thënë Mushkolaj për Gazetën Express.

Analisti thotë se Osmani shpresën që në rrugën e saj politike do të ketë përkrahje e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, të cilët votuan kundër shkarkimit të  saj.

Reagimin e saj në rrjetet sociale Osmani e mbylli me një shprehje në gjuhën angleze “bring it on” (qe përdorët për të treguar vetëbesim para sfidave), dhe një figurë të rrjeteve sociale që tregon muskujt. Por, nuk dihet nëse përballjen me partinë do ta vazhdojë nga brenda apo nga jashtë me një subjekt të ri.

Osmani ka dhe histori të tjera konfliktesh brenda LDK’së. Ajo në vitin 2014 nuk e kishte votuar Isa Mustafën për Kryeministër, pasi nuk e pranonte koalicionin që LDK’ja e kishte lidhur me PDK’në e Hashim Thaçin. Por, ndër vite, konfliktet e saj me Mustafën, Lutfi Hazirin, por edhe Agim Veliun u shuan dhe ajo u kandidua për kryeministre.

Fitim Salihu nuk e përjashton mundësinë që Osmani t’i rregullojë sërish raportet me gardën e vjetër të partisë.

“Pas asaj që ndodhi në vjeshtën e vitit 2019, unë nuk e përjashtoj mundësinë që sërish të kemi një pajtim të palëve. Vjeshta 2019 ka dëshmuar se kur interesat e dy palëve konvergjohen, edhe garda e vjetër edhe Vjosa Osmani janë në gjendje që ta harrojnë të kaluarën konfliktuoze për hir të interesave personale ose partiake”.

Vjosa Osmani ka rinisur konfliktet me partinë e saj, që nga koha kur LDK’ja, me mocion mosbesimi e rrezoi Albin Kurtin për ta formuar Qeverinë e re me AAK’në, Nismën dhe minoritetet.

Përveç duke votuar kundër çdo qëndrimi të partisë së saj dhe kundër zgjedhjes së Avdullah Hotit kryeministër, Osmani ka dhënë vazhdimisht deklarata publike kundër udhëheqjes së LDK’së, duke afruar qëndrimet më shumë me Kurtin dhe partinë e tij.

Kreu i LDK’së disa herë e ka paralajmëruar Osmanin se do të ketë pasoja, të cilat u konkretizuan të shtunën kur Këshilli i Përgjithshëm e shkarkoi atë pozita e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë.  Sipas njoftimit të LDK’së, Osmani u shkarkua me 70 vota pro të Këshillit të Përgjithshëm, që ka 123 anëtarë.

Osmani tash mban postin e kryeparlamentares nga dhjetori 2019, të cilin e mori si rezultat i marrëveshjes mes LDK’së e Lëvizjes Vetëvendosje për qeverisje. 

(Kosova Sot Online)