1110 raste aktive me Covid-19 në Kosovë, vetëm në Vushtrri 184

  • E.K /
  • 22 June 2020 - 23:23
 1110 raste aktive me Covid-19 në Kosovë, vetëm në Vushtrri 184

Kosova sapo kaloi javën me më së shumti raste të konfirmuara me virusin Covid-19. Shpërthimi i virusit u lidh me lehtësimin e masave dhe tubime e festa.

Vetëm sot janë konfirmuar 47 raste të reja, ndërkohë që dy pacientë kanë ndërruar jetë, ndërsa për një tjetër pritet konfirmimi nga laboratori nëse edhe ai ndërroi ejtë pas prekjes nga virusi.

Prishtina vazhdon të jetë komuna më e prekur me 408 raste të konfirmuara, ndërsa Vushtrria ka 307 raste.

Vushtrria ka 184 raste aktive me virusin, po ashtu, 3 persona kanë vdekur në këtë komunë pasi janë infektuar nga virusi.

IKSHPK bën thirrje që të ketë kujdes dhe të respektohen masat në mënyrë që të ndalohet përhapja e virusit.

QKUK ka filluar të përdorë edhe reparte tjera për shtrirjen e pacientëve me Covid-19, përveç Klinikës Infektive.

“Sot gjatë ditës kemi pasur 90 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive të konfirmuar me Covid-19 dhe numri mund të ketë shkuar edhe më shumë pas publikimit të rezultateve që i patëm në mbrëmje pasi një numër i tyre ka qenë në klinikë. Mbi 40 pacientë janë në oksigjenoterapi ndërkohë që reparti intensiv pothuajse është i mbushur me kapacitete të plota. Kemi gjashtë pacientë në Intensivë, pesë prej të cilëve janë në gjendje kritike”, ka thënë Valbon Krasniqi, infektolog.

Gjithsej në Kosovë 2169 raste të konfirmuara me virusin. Deri më tani 1047 janë shëruar ndërsa 38 kanë vdekur.

(Kosova Sot Online)