Mosmiratimi i marrëveshjeve, Tahiri: Kështu e humbim kredibilietin negociues me institucionet ndërkombëtare

  • E.K /
  • 23 June 2020 - 15:35
 Mosmiratimi i marrëveshjeve, Tahiri: Kështu e humbim kredibilietin negociues me institucionet ndërkombëtare

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri ka reaguar pas debatit të sotëm në Kuvend të Kosovës, ku në mungesë të kuorumit dështuan të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare.

Tahiri ka shkruar në Facebook se mungesa e vullnetit për të miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, mund të prodhojë efekte negative afatgjata.

“Sa i përket debatit të sotshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës me duhet të them se si vend duhet të jemi të qartë për obligimet që kemi marrë para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mungesa e vullnetit, guximit dhe konsensusit politik e institucional për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku bien edhe ato financiare, mund të prodhojë efekte negative afatgjata”, ka thënë ai.

Sipas Tahirit, me këtë qasje dobësohet kredibiliteti negociues i Kosovës kundrejt institucioneve financiare ndërkombëtare.

“Për më keq, kjo mund të rezultojë me ngushtimin e mundësive në të ardhmen, për projekte zhvillimore, dhe/apo të rimëkëmbjes. E kuptoj shumë mire politikën ditore, por është koha e fundit t’i kthehemi interesit publik e qytetar, të jemi më pragmatik e më të përgjegjshëm karshi sfidave. Debati duhet t’i shërbejë zgjidhjeve dhe konsensusit, dhe assesi përplasjeve e problemeve ngatërrestare pa fund”, shkroi zëvendëskryeministri.

(Kosova Sot Online)