Vuçiq takon Putinin në Moskë, tregon detaje të bisedës

  • E.K /
  • 23 June 2020 - 18:33
 Vuçiq takon Putinin në Moskë, tregon detaje të bisedës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar të martën pasdite me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Vuçiq ka thënë se me Putinin ka folur për të gjitha idetë dhe mënyrat për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas “rts.rs”, Putin ka thënë se në mes të Rusisë dhe Serbisë zhvillohen marrëdhënie politike pragmatike dhe në të njëjtën kohë shumë të mira. Presidenti rus ka konfirmuar se në tetor do të vizitojë Serbinë.

Takimi është zhvilluar në Moskë, ku presidenti serb po qëndron në vizitë dyditore. Vuçiq, sipas Radio Televizionit të Serbisë, ka thënë se ka pasur bisedë shumë të mirë për të gjitha çështjet politike, para së gjithash për Kosovën dhe situatën e përgjithshme në regjion dhe në botë. Ai nga Putini ka dëgjuar analiza të mira dhe këshilla të caktuara.

“Kemi folur për të gjitha idetë dhe mënyrat për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nëse mund të them këtë, Putin në një mënyrë të mençur ka shfaqur mendimin e tij, para së gjithash duke respektuar qëndrimet e Serbisë. Rusia e respekton Serbinë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë”, ka thënë Vuçiq kur është pyetur nëse presidenti rus e ka këshilluar se si të qaset tutje për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare.

“Putini është shumë i mençur dhe i madh që të bëjë diçka direkt. Por në mënyrë të mençur di të tregojë qëndrime të caktuara dhe për këtë jam falënderues”, ka shtuar Vuçiq.

(Kosova Sot Online)