Presidenti e kishte shpallur organizatë terroriste Hezbollahun para një viti, Qeveria Hoti miraton vendimin

  • E.K /
  • 23 June 2020 - 21:09
 Presidenti e kishte shpallur organizatë terroriste Hezbollahun para një viti, Qeveria Hoti miraton vendimin

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin që Organizatën Globale Terroriste “Hezbollah” dhe krahun e saj politik dhe ushtarak, ta shpallë organizatë terroriste në territorin e Republikës së Kosovës.

E rreth një vit më parë këtë organizatë terroriste, si të tillë e kishte shpallur edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe pjesëmarrjes aktive në aleancat ndërkombëtare të luftimit të grupeve terroriste, ka miratuar vendimin që Organizatën Globale Terroriste “Hezbollah” krahun e saj politik dhe ushtarak, ta shpallë organizatë terroriste në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në njoftim gjithashtu thuhet se ky njoftim i obligon organet e sigurisë së Kosovës ta zbatojnë këtë vendim në pajtim me praktikat ndërkombëtare.

“Vendimi obligon organet përgjegjëse të sigurisë në Republikën e Kosovës që në pajtim me praktikat ndërkombëtare të ndërmarrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”.

Hashim Thaçi, rreth një vit më parë kishte nxjerrë një dekret përmes të cilit ka obliguar institucionet e vendit të krijojnë një listë të personave dhe grupeve e organizatave terroriste të përfshira në akte terroriste, të cilat do t’iu nënshtrohen masave kufizuese në territorin e Republikës së Kosovës.

Thaçi sipas dekretit të nxjerrë kishte obliguar institucionet vendore që të zbatojnë Listën e Bashkimit Evropian në të cilën listohen personat dhe grupeve e organizatat të përfshira në akte terroriste.

“Deri në krijimin e listës vendore, sipas dekretit të presidentit Thaçi, institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës do ta zbatojnë Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, e cila është rifreskuar më 8 janar 2019”, thuhej në njoftimin e presidencës.

Pjesë e kësaj liste të BE-së për organizatat terroriste është edhe Hezbollahu, lëvizje kjo me bazë në Liban, që për ideologji ka luftën kundër komunitetit hebraik dhe kundër shteteve Perëndimore.

Përveç kësaj Hesbollahu ka marrë pjesë në disa luftëra që nga viti 2000, dhe për aleate ka edhe disa shtete në Lidnjen e Mesme.

Këtë lëvizje të Hashim Thaçit e kanë mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga komuniteti izraelit.

Pwr vendimin e presidentit patën reaguar drejtoresha e “American Jeëish Commite”, Avital Leibovich, duke falënderuar presidentin e Kosovës për një vendim të tillë.

“Faleminderit Hashim Thaçi që keni pranuar Hezbollahun si një grup terrorist. Shpresojmë se kjo do të sjellë më afër Izraelin dhe Kosovën” ka thënë ajo në një reagim në twitter.

(Kosova Sot Online)