Mahmuti: Deklarata politike nga zyra e Prokurorit të Specializuar është dëshmi që Specialja është antishqiptare

  • E.K /
  • 24 June 2020 - 18:55
 Mahmuti: Deklarata politike nga zyra e Prokurorit të Specializuar është dëshmi që Specialja është antishqiptare

Ish- funksionari i UÇK’së, Bardhyl Mahmuti, thotë se deklarata për shtyp e lëshuar më 24 qershor 2020 nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për aktakuzën që ende nuk është miratuar nga Dhomat e Specializuara është pa precedent në praktikën e institucioneve të drejtësisë së pavarur dhe shkelje e rëndë e parimeve themelore të drejtësisë.

Sipas tij “Parimi i parë dhe kryesor i drejtësisë që nuk është e varur nga politika qëndron në parimin e supozimit të pafajsisë përderisa nuk shpallet fajtor nga Gjykata”

Mahmuti thotë se një njoftim i tillë i Prokurorisë është deklaratë politike.

“Jo vetëm që nuk u prit vendimi i gjykatës, por ende pa u miratuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara, Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një deklarate politike, shpallë, ndër të tjera, me sa vijon:

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së duke ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, ka shkruar Mahmuti.

“Në këtë mënyrë, nëpërmjet të kësaj deklarate politike, ende pa filluar procesi gjyqësor, Zyra e Prokurorit të Specializuar shpall vendimin Hashim Thaçi dhe Kadri Veselin si KRIMINEL dhe paragjykon se “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë qenkëshin viktima të krimeve të tyre ”!!!Ky qëndrim politik në kundërshtim me parimet bazë të drejtësisë dëshmon se e ashtuquajtura Gjykatë Speciale nuk është asgjë tjetër pos një GJYKATË POLITIKE ANTISHQIPTARE!”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Bardhyl Mahmutit.

(Kosova Sot Online)