Në ditët në vijim më shumë diell dhe më nxehtë në Kosovë – në fundjavë temperaturat deri në 30C

  • E.K /
  • 24 June 2020 - 19:10
 Në ditët në vijim më shumë diell dhe më nxehtë në Kosovë – në fundjavë temperaturat deri në 30C

Pas reshjeve të shumta që ranë ditëve të fundit, në ditët e ardhshme mbi rajon do të shtrihen fusha të presionit më të rritur, bën të ditur Prishtina Weather.

Shërbimi i meteorologjisë njofton se nën këto kushte do të mbajë mot kryesisht me diell, mirëpo orëve të pasdites përreth viseve malore ka mundësi të zhvillohen vranësira lokale, që mund të shoqërohen edhe me ndonjë rrebesh shiu dhe bubullimë. Orëve të mëngjesit në vise të ulëta mundësi për mjegull.

Në aspektin termik, depërtimi i masave të ngrohta nga Afrika veriore do të sjellë rritje të temperaturave edhe mbi vlera mesatare, në fundjavë deri në 30C, thekson PW.

Parashikimi për periudhën 25-29 qershor:

25.06 – Në mëngjes në vise të ulëta mundësi për mjegull. Ditën më ngrohtë, kryesisht me diell. Pasdite më vonë përreth viseve malore priten zhvillime të vranësirave lokale, me mundësi për reshje lokale shiu dhe bubullimë.

26.06 – Shumë ngrohtë, kryesisht me diell. Në mëngjes në vise të ulëta mundësi për mjegull. Pasdite vonë përreth viseve malore mundësi për ndonjë rrebesh shiu me bubullimë.

27.06 – Më nxehtë, kryesisht me diell. Pasdite më vonë përreth viseve malore mundësi për ndonjë rrebesh shiu me bubullimë.

28.06 – Kryesisht me diell dhe nxehtë.

29.06 – Nxehtë, kryesisht me diell.

Temperaturat minimale do të luhaten nga 12C deri 16C, e maksimalet nga 27C deri në 30C.

Era do të fryjë e lehtë kryesisht nga verilindja 2-5m/s.

Shtypja atmosferike pritet të rritet mbi vlera normale, e nga fundjava do të pësojë rënie.

(Kosova Sot Online)