Burns dhe Wisner pas dështimit të takimit në Washington: Ishte një ide e keqe

  • E.K /
  • 25 June 2020 - 17:35
 Burns dhe Wisner pas dështimit të takimit në Washington: Ishte një ide e keqe

Ish-zëvendëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Burns, dhe Frank Wisner, ish-përfaqësuesi special për Kosovën në administratën e presidentit amerikan George W.Bush, kanë thënë se ideja për takim në Washington mes Kosovës dhe Serbisë, ishte e gabuar që nga fillimi.

Në një opinion të publikuar në prestigjiozen “WashingtonPost”, dy figurat e njohura kanë thënë se takimi i planifikuar për 27 qershor ka dështuar ende pa nisur, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi të mërkurën aktakuzën ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve për krime lufte.

Megjithatë, ata e kanë vlerësuar të gabuar idenë e këtij takimi duke kundërshtuar qasjen “e njëanshme” të administratës së presidentit Donald Trump. Sipas tyre, ngritje a akuzës ndaj Thaçit është arsye shtesë që SHBA-ja të rikonsiderojë përpjekjet e veta për negociata. Për këtë kanë dhënë disa arsye.

“E para, Trumpi ka ndërmarrë një kampanjë diplomatike i vetëm në Kosovë në vend se të bashkëpunonte në tandem me Bashkimin Evropian, përfshirë aleatët e mëdhenj Gjermaninë dhe Francën. Ai ka ‘shqelmuar’ ndërmjetësuesin e BE-së dhe madje edhe presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili kishte propozuar të mbante një Samit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, për herë të parë në dy dekada, po udhëhiqnin ndaras dy kampanja negociuese, duke shkaktuar konfuzion te serbët dhe kosovarët. Kjo kërcënon të ngadalësojë, në vend se të përshpejtojë, progresin drejt marrëveshjes”, kanë thënë ata si arsye të parë.

Si arsye të dytë, ata kanë renditur çështjen se shtetet e Ballkanit më së shumti kanë nevojë për ndihmën ekonomike nga Evropa.

“SHBA-ja, në anën tjetër, ka një prezencë më të dobët ekonomike në rajon”, kanë shpjeguar ata.

Sipas tyre, përçmimi i Evropës nga Trumpi ka ndarë miqtë e rajonit dhe ka ulur shanset që të arrihet një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës e Serbisë.

Ata kanë shtuar se një nga arsyet e përzierjes së Trumpit në këtë çështje mund të jetë edhe përplasja që ka pasur me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Në arsyen e tretë, Burns e Wisner kanë theksuar se motivi kryesor i Trumpit ka qenë arritja e një marrëveshjeje për të marrë lëvdata për politikën e jashtme para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Ekziston frika se Trumpi mund të shtyjë Kosovën për të bërë lëshime territoriale për Serbinë që do të ishte potencialisht shpërthim i paprecedent në rajonin jostabil të Ballkanit”, kanë shkruar ata.

Të dy njohësit e situatës së Kosovës kanë thënë se dyshojnë se “mund të arrihet një marrëveshje e suksesshme me një qasje kaq të njëanshme”.

“Presidentët Bill Clinton, Bush dhe Barack Obama janë nisur nga një premisë e përbashkët për shtetet e Ballkanit – me theks Serbia, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria, si dhe Bullgaria, Kroacia, Greqia e Sllovenia – duhet të jenë të sigurt në kufijtë e tyre dhe t’u bashkëngjiten NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të ardhmen e tyre të sigurt”, kanë thënë ata.

Ata kanë theksuar se SHBA-ja gjithmonë ka kundërshtuar shkëmbimet territoriale për shkak të frikës se mund të nxisë luftë të re dhe ka kundërshtuar edhe idenë e “Shqipërisë së Madhe”. “Shtyrja e Kosovës dhe Serbisë për të rivizatuar kufijtë është precedent i rrezikshëm që mund të minojë edhe marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë si dhe të shthurë marrëveshjen e Daytonit në Bosnje”, kanë shtuar Burns e Wisner.

“SHBA-ja ka qenë mike e mirë e Kosovës që kur intervenuam me aleatët në NATO për të parandaluar masakrimin e shqiptarëve të Kosovës nga ushtria serbe më 1999. Ne i dhamë fund asaj lufte. Forcat e NATO-s, përfshirë kontingjentet e SHBA-së, kanë ruajtur paqen që nga ajo kohë. Shërbimi i Jashtëm dhe Ushtria kanë punuar shumë të ndihmojnë Kosovën të arrijë dhe të sigurojë paqen dhe pavarësinë. Presioni i hapur i administratës Trump ndaj liderëve të Kosovës në muajt e fundit, dhe qëndrimi më i përshtatshëm ndaj qeverisë autoritare në Serbi, ka qenë në mospërputhje me miqësinë tonë dhe ka dobësuar institucionet fragjile qeverisëse në Kosovë. Lëvizja e mençur e Trumpit do të ishte po të bashkonte forcat me evropianët, kosovarët e serbët për t’u pajtuar në masat për të rritur investimet në infrastrukturën në rajon dhe për të hequr barrierat në tregti”, kanë shtuar ata.

E kanë quajtur gabim edhe kërcënimin e administratës Trump për heqjen e trupave të SHBA-së nga misioni në Kosovë.

“Nuk ka zgjidhje të shpejta në Ballkan”, kanë thënë të dy.

Burns është profesor në Universitetin e Harvardit dhe ish-zëvendëssekretar i Shtetit. Ai është këshilltar i Joe Bidenit, kandidatit të Partisë Demokratike për president. Frank Wisner ishte përfaqësuesi special për Kosovën në administratën e presidentit George W.Bush.

(Kosova Sot Online)