Bajrami thotë se është i kundërligjshëm publikimi i aktakuzës së pa konfirmuar ndaj Thaçit dhe Veselit

  • 25 June 2020 - 20:01
 Bajrami thotë se është i kundërligjshëm publikimi i aktakuzës së pa konfirmuar ndaj Thaçit dhe Veselit

Profesori i Fakultetit Juridik, Arsim Bajrami, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë një veprim të kundërligjshëm dhe të papranueshëm me publikimin a aktakuzës së pa konfirmuar ndaj liderëve politikë të UÇK’së.

Prokurori bëri të ditur se publikimin e aktakuzës e ka bërë pasi që kishte prova të mjaftueshme që presidenti i Ksoovës, Hashim Thaçi dhe kreu i PDK’së, Kadri Veseli, janë munduar të sabotojnë punën e Gjykatës Speciale. Por Bajrami thotë se veprimi ka qenë i padrejtë.

‘’I papranueshëm dhe i kundërligjshëm veprimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për të publikuar njoftimin për një aktakuzë të pa konfirmuar, ndaj liderëve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.’’, ka thënë Bajrami.

“Amandamenti 24 i Kushtetutës, në paragrafin 2 të tij, obligon Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të garantojnë të drejtat themelore që përmban Kapitulli II i Kushtetutës, përfshirë veçanërisht garantimin e të drejtës në prezumimin e pafajësisë, derisa nuk provohet e kundërta në pajtim me ligjin.”, shtoi ai.

‘’Në rastin konkret, Zyra e Prokurorit të Specializuar, jo vetëm se ka cenuar këtë të drejtë kushtetuese, por edhe ka shkelur edhe rregullat e procedurës të miratuara nga vetë ky institucion, me faktin e publikimit të njoftimit për ekzistimin e një aktakuze, deri më tani fiktive, përderisa nuk është konfirmuar bazueshëria e saj nga Dhomat e Specializuara, në periudhën prej gjashtë muajsh nga dorëzimi i saj.’’

Bajrami thotë se ndaj prokurorit në fjalë mund të iniciohet procedurë disiplinore.

‘’Në rregullat e procedurës, është fare e qartë se një aktakuzë e pakonfirmuar nuk mund të bëhet publike, dhe për më tepër, njoftimi i publikimit për ekzistimin e saj, është bazë e mjaftushme që ndaj këtij prokurori të iniciohet procedurë disiplinore për shkeljen flagrante të Kodit të Etikës, akt ky i miratuar po ashtu nga këto institucione gjyqësore.’’, shton ai.

Bajrami thotë selufta e UÇK’së ka qenë e drejtë dhe se lavdia e saj nuk mund të denigrohet asnjëherë.

“Një komunikatë e tillë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është politike dhe e pa shembullt, dhe si e tillë, duhet denoncuar e kundërshtuar me mjete politike dhe juridike, dhe të kërkohet llogari për pasojat e pariparueshme që është duke i’a shkaktuar Kosovës, në rrafshin ndërkombëtar.”, thotë ai.

‘’Kredibiliteti i Dhomave të Specializuara, mund të riparohet vetëm kur të hedhin poshtë një akt akuzues si ky i fundit, i motivuar politikisht, e selektiv si dhe për shkak të shkeljes esenciale të rregullave procedurale nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.’’, përfundon Barjami.

(Kosova Sot Online)