Çfarë kriteresh duhet të plotësojnë punëtorët jashtë BE’së për të punuar në Zvicër?

  • S.A /
  • 27 June 2020 - 08:48
Çfarë kriteresh duhet të plotësojnë punëtorët jashtë BE’së për të punuar në Zvicër?

Këshilli Federal ka vendosur që të heqë kufizimet e vendosura gjatë pandemisë COVID-19 për 8,500 punëtor nga jashtë BE-së dhe EFTA-së të cilët kanë të drejt pune në Zvicër.

Të gjithë punëtorët jashtë BE-së dhe EFTA-së që ia mësyjnë Zvicrës për punë, duhet që të plotësojnë disa kritere.

Sekretariati Shtetëror të Migracionit (SEM), ka bërë të ditur se vetëm punëtorë “të kualifikuar”, si specialistë dhe punonjës të tjerë të aftë, mund të punojnë në Zvicër.

“Kjo do të thotë, mbi të gjitha, që të keni një diplomë nga universiteti ose një institucion i arsimit të lartë, si dhe përvojë pune disa vjeçare”, thotë SEM.

Gjithashtu, përveç kualifikimeve profesionale, këta punëtorë duhet të plotësojnë disa kritere të tjera, duke përfshirë këtu përshtatjen profesionale dhe sociale, si dhe njohuri për të paktën një gjuhë kombëtare, raportojnë mediat zvicerane.

Por, akoma nuk është vendosur se kur do të hiqet ndalimi i hyrjes së shtetasve të vendeve jo evropiane për të kaluar pushimet verore në Zvicër. Është thënë se një vendim i tillë do të merret në koordinim me shtetet e tjera të Shengen-it.

Zyrtarët e BE raportohet se po hartojnë një listë të vendeve të treta, që do të lejohen të udhëtojnë në BE kur kufijtë e jashtëm të hapen më 1 korrik, përcjell albinfo.ch.

Zyrtarët evropianë thanë që vetëm vendeve, shkalla e infeksionit të të cilave është e njëjtë ose më e mirë se mesatarja e BE-së, duhet t’u jepet drita jeshile për të hyrë në Evropë.

Kjo do të përjashtonte Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut, ku rastet e COVID-19 janë në rritje.

Kujtojmë se Zvicra ka hapur kufijtë e saj me 15 qershor me Francën, Italinë, Gjermaninë, Austrinë, dhe shtetet e tjera të zonës  Shengen si dhe me Mbretërinë e Bashkuar.

(Kosova Sot Online )