Sa do t’i kushtonte shërbimi ushtarak i detyrueshëm Kosovës për një vit?

  • 27 June 2020 - 09:07
Sa do t’i kushtonte shërbimi ushtarak i detyrueshëm Kosovës për një vit?

Shërbimi ushtarak i obligueshëm në Kosovë po konsiderohet i mirëseardhur, por në të njëjtën kohë edhe si i panevojshëm dhe mision i  pamundur.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati ka thënë se për tu jetësuar shërbimi ushtarak Kosova do të duhej të ndante mbi 80 milionë euro në vit.

Mirëpo, Kastrati ka thënë se ideja e shërbimit ushtarak është një deklaratë politike.

“Shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Kosovë kishte me qenë një gjë shumë e mirë për rininë e Kosovës mirëpo për shkak të situatës së ekonomisë jo të qëndrueshme në vendin tonë një veprim apo një çështje shumë e kushtueshme unë mendoj që për momentin është e pa realizueshme sepse një gjenerata e të rive në Kosovë diku llogaritet 25 mijë çdo vit, ne do të duhej që ta kemi një infrastrukturë shumë të qëndrueshme do të duhej që të kemi pajisje po ashtu do të duhej të u jepet një rrogë minimale”.

“…mbi 80 milionë euro në vit Kosova do të duhej t’i ndante vetëm për shërbimin e obligueshëm pa e llogaritur pjesën profesionale dhe unë mendoj që kjo më tepër është një deklaratë politike dhe një mendim që përfiton politikisht se sa mund të bëhet realitet”.

Kastrati mes tjerash ka thënë se Kosovës i duhen së paku edhe 10 vjet për të jetësuar shërbimin ushtarak të obligueshëm. Sipas tij, shërbimi ushtarak është i kushtueshëm dhe i panevojshëm.

“Unë mendoj që fillimisht do të duhej të krijohej një grup ekspertësh ushtarak që të bënë një studim të thellë se çka duhet Kosova të bënë dhe pas këtij studimi të bëhet një plan dinamik. Shumica e shteteve të NATO-s e kanë larguar shërbimin ushtarak për arsye se është shumë i kushtueshëm dhe shumë e panevojshme. Por ne mund t’i dërgojmë oficerët profesional nëpër universitete që të kenë një shkollim ushtarak. Minimumin Kosova edhe për 10 vjetët e ardhshme Kosova nuk do të ketë mundësinë që të bënë”.

“Kosova është në rrugë të mirë për ta ndërtuar një ushtri shumë të mirë dhe shumë profesionale, një ushtri e cila është e studime thellësisht se çka i nevojitet Kosovës për ta përmbushu misionin e vet, e misioni është mbrojtja e sovranitetit të vendit”, ka thënë Kastrati për EO.

Megjithatë ai ka potencuar se shërbimi ushtarak nuk do ta ndihmonte FSK-në, por do të ishte një përgatitje për gjenerata e ardhshme.

“Kjo duhet të rregullohet me ligj, duhet të ndërtohet infrastruktura ndaras, por për ta marr një ushtar apo ushtare ne do të duhej të ja siguronim të gjitha nevojat, qoftë gjinisë femërore apo mashkullore. FSK-në nuk e ndihmon, por është një përgatitje e gjeneratave të ardhshme, por nëse neve na ndodh një kërcënim nga jashtë ne do t’i kemi 8 ushtarë dhe 8 mijë policë dhe këto mjaftojnë për momentin e parë”.

Por ndryshe po mendon deputeti i VV-së Rexhep Selimi, ai për Ekonomia Online ka thënë se shërbimi ushtarak i obligueshëm është i nevojshëm dhe i mundshëm.

“Është e mundshme dhe është e nevojshme, është e mundshme për shkak se ekzistojnë kushtet ligjore në Kosovë për një gjë të tillë. Është e nevojshme për shkak se Kosova ka nevojë t’i ngris kapacitetet e saj të mbrojtjes duke mobilizuar edhe të rinjtë si shërbim i detyrueshëm ushtarak. Në anën tjetër është edhe shembull që edhe shumë prej vendeve demokratike madje edhe ato të NATO-s dhe të BE-së praktikojnë një gjë të tillë”.

“Duke i studiuar rrethanat nevojat dhe kushtet mendoj që një gjë e tillë do të duhej të nisej, ka qenë projekt i joni politik dhe vazhdon të mbetet po ashtu edhe në të ardhmen do të jetë përpjekje e jona që të realizohet një gjë e tillë, ka qenë edhe dakordim i përbashkët i yni në Qeverinë Kurti bashkë me partnerët që sot janë në qeveri dhe nuk e di a kanë hequr dorë ata a jo siç kanë hequr dorë edhe nga zotimet tjera, por ne do t’i mbesim besnik kësaj çështje”, ka thënë Selimi.

Ai tha se kanë qenë të fokusuar që shërbimi ushtarak të bëhet i obligueshëm për gjininë mashkullore, kurse gjinisë femërore t’i mundësohet në mënyrë vullnetare.

“Është shumë e përballueshme, varësisht nga ajo çfarë do shteti të zgjerohet, por mund të mos jetë kjo një vit sepse mund të jetë numri i limituar pra koha dhe numri mund të jetë po ashtu i përshtatur me kapacitet tona qoftë financiare dhe logjistike por mjafton të bëhet një studim”.

“Ne kemi qenë të fokusuar për këtë që për gjininë mashkullore të jetë e obligueshme kurse të ju mundësohet në aspektin vullnetar edhe gjinisë femërore, përveç djemve edhe vajzat kanë shumë aspirata e mbi të gjitha kanë kapacitet për të dhënë kontributin në fushën e sigurisë”.

(Kosova Sot Online )