Hoti komenton aktakuzën ndaj Thaçit: Shpresoj që bartësit e institucioneve do të tregojnë maturi si në të kaluarën

  • E.K /
  • 27 June 2020 - 11:48
 Hoti komenton aktakuzën ndaj Thaçit: Shpresoj që bartësit e institucioneve do të tregojnë maturi si në të kaluarën

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në konferencën për media pas kthimit nga Brukseli dhe pas anulimit të takimit të Washingotnit, ka folur edhe për aktakuzën e ngritur nga Gjykata Speciale ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Hoti ka thënë se një zhvillim i tillë ka ndërruar dinamikën dhe agjendën e Qeverisë, derisa ka thënë se si ekzekutiv kanë tri qëndrime sa i përket aktakuzës së Speciales.

Hoti thotë se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është e shenjtë dhe ka sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai thotë se edhe vendimi i GJND-së për pavarësinë e vendit ka legjitimuar luftën çlirimtare.

“Zhvillimet e fundit politike që kanë ndodhur në Kosovës kanë ndërruar pak dinamikën, pas njoftimit për dorëzim të aktakuzës. Lidhur me këtë çështje më lejoni ti them tri qëndrime si Qeveri. Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është arritja më e madhe për arritjen e pavarësisë. Kjo luftë është e shenjtë dhe sjellë lirinë dhe pavarësinë. Akti i Gjykatës Ndërkombëtare me njohjen e pavarësisë e legjitimon luftën tonë për liri”, ka thënë Hoti.

Tutje ka thënë se duhet respektuar edhe parimi i drejtësisë që është prezumimi i pafajësisë derisa s’ka një vendim gjykate kompetente.

“Duhet të respektojmë parimin e drejtësisë që është prezumimit të pafajësisë derisa nuk ka një vendim nga një gjykatë kompetente”, ka potencuar kreu i Qeverisë.

Në fund ai ka bërë thirrje që Kosova si shtet të tregoj maturi në këtë situatë dhe të respektojë obligimet kushtetuese dhe ndërkombëtare.

“Dhe e treta që jam i bindur që të gjitha institucionet do të tregojnë maturi, në këtë situatë të re, sikurse në të kalurën. Duhet të tregojmë maturi, për të respektuar obligimet tona kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare që i kemi si shtet”, ka përfunduar ai.

(Kosova Sot Online)