Rreth 40 zyrtarë policorë të infektuar me koronavirus, mbi 150 në vetizolim

  • E.K /
  • 27 June 2020 - 11:59
 Rreth 40 zyrtarë policorë të infektuar me koronavirus, mbi 150 në vetizolim

Që nga përhapja e pandemisë Covid-19 e deri më tani, numri i zyrtarëve policorë dhe atij të stafit civil të infektuar me këtë virus ka arritur në 62. Prej tyre 25 janë shëruar dhe 37 raste janë ende aktive. 4 prej të infektuarve janë duke marrë tretman në Klinikën Infektive në QKUK kurse të tjerët janë në vetizolim.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se prej 37 rasteve aktive me coronavirus, 34 prej tyre janë zyrtarë policorë ndërsa, 3 janë staf civil të punësuar në policinë e Kosovës.

Ai po ashtu theksoi se në pritje për tu testuar janë 158 zyrtarë të tjerë policorë të cilët aktualisht janë në vetizolim.

“Është një numër prej 158 zyrtarëve që janë në vetizolim në shtëpitë e tyre. Shumica prej tyre janë testuar. Mirëpo për shkak që virusi është i panjohur dhe dinë të jap rezultate pas disa ditëve. Me rekomandim të IKSHPK-së janë rekomanduar që këta persona të qëndrojnë të vetizoluar në shtëpi”, tha Ahmeti.

Si në të gjitha institucionet e vendit edhe policia e Kosovës me fillimin e përhapjes së pandemisë, ka reduktuar numrin e personelit, respektivisht siç thotë Ahmeti, rreth 450 zyrtarë policorë si dhe gati 900 persona nga stafi civil janë liruar nga detyra.

Krahas kësaj, sipas Ahmetit, me lirimin e disa masave të para nga Qeveria e Kosovës, zyrtarët policorë dhe stafi civil janë rikthyer në vendin e tyre të punës.

“Mbi 90 për qind e personelit e sidomos e stafit civil kanë qenë të liruar dhe personeli e uniformuar që kanë pasur probleme shëndetësore të ndryshme. Rreth 450 zyrtarë policorë të liruar, dhe diku 850-900 staf civil. Me lirimin e masave edhe zyrtarët policorë dhe stafi civil janë rikthyer në punë. Ndërsa, tani për shkak që ka filluar koha e pushimeve, ne i kemi bërë planifikimet për stafin policorë”, ka pohuar më tutje Ahmeti duke shtuar se një numër prej tyre kanë marrë pushim vullnetarisht.

(Kosova Sot Online)