Koci pas aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit: Të mos sulmohet Prokuroria Speciale

  • E.K /
  • 27 June 2020 - 12:07
 Koci pas aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit: Të mos sulmohet Prokuroria Speciale

Avokati i njohur kosovar, Arianit Koci, thotë se Prokuroria Speciale e Hagës duhet lejuar që të bëjë punën e vet sa i përket aktakuzës ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK’së, Kadri Veselit.

Sipas tij, çfarëdo sulmi në drejtim të Prokurorisë i bën dëm më shumë Thaçit e Veselit dhe Kosovës sesa vetë Prokurorisë.

“Pas ngritjes së aktakuzës (e cila mund edhe të mos konfirmohet) ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ( të cilët janë edhe themelues të UÇK-së), krejt çka duhet bërë është ta lëmë Prokurorinë të qetë në punët e veta.Çdo sulm ndaj saj, i kushton më shumë Thaçit, Veselit dhe të gjithë neve, se sa vetë prokurorisë”, ka shkruar Koci.

Ai thotë se për të gjitha veprimet e prokurorisë që mund të cilësohen si të gabuara duhet të adresohen në Gjykatë.

“Veprimet eventuale të gabuara të prokurorisë, për çfarëdo motivi, duhet të adresohen në gjykatë”, ka përfunduar Koci.

Një reagim i tillë i avokatit Koci, vjen pas sulmeve në drejtim të Prokurorisë Speciale dhe ndërlidhjen e publikimit të aktakuzës me zhvillimet politike.

(Kosova Sot Online)