Kryediplomatja kosovare takon zyrtaren e SHBA’së në NATO: Jeni dritë udhërrëfyese për ne

  • E.K /
  • 27 June 2020 - 16:51
 Kryediplomatja kosovare takon zyrtaren e SHBA’së në NATO: Jeni dritë udhërrëfyese për ne

Kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla ka takuar sot Përfaqësuesen e Përhershme të Shteteve të Bashkura të SHBA’së në NATO, Kay Bailey Hutchinson, me të cilën kanë diskutuar rreth aspiratave të Kosovës për t’u bërë pjesë e paktit euroatlantik.

Haradinaj Stublla thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dritë udhëheqëse e Kosovës drejt integrimit në NATO.

“Ishte nder i veçantë për mua të takoj Ambasadoren Hutchinson. Shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë në të gjitha proceset për Kosovën si dhe përkrahjen e vazhdueshme për avancimin dhe modernizimin e Ushtrisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë ajo pas takimit në Bruksel me Hutchinson.

Ministrja Haradinaj-Stublla ndër të tjera ka thënë se Kosova është e gatshme për të ecur përpara drejt integrimit të plotë në NATO, dhe se ky rrugëtim do ta bëhet me punë, angazhim e koordinim të plotë me aleatin e saj të përhershëm – ShBA-të.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, sipas Ministres Haradinaj-Stublla, do të thotë më shumë paqe, siguri dhe mbrojtje kolektive për të gjithë familjen e madhe euro-atlantike.

(Kosova Sot Online)