Hoxhaj dhe Bildt replikojnë rreth aktakuzës ndaj Thaçit dhe kërkesës për dorëheqje

  • G.G /
  • 27 June 2020 - 17:41
Hoxhaj dhe Bildt replikojnë rreth aktakuzës ndaj Thaçit dhe kërkesës për dorëheqje

Diplomati i njohur dhe ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, në një shkrim të publikuar në ECFR ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet që të jap dorëheqje pas aktakuzës së bërë publike nga Prokuroria Speciale e Hagës.

Ndaj një qëndrimi të tillë ka reaguar ish-bashkëpartiaku i Thaçit, Enver Hoxhaj, i cili i është vënë në mbrojtje presidentit.

Hoxhaj e ka cilësuar njoftimin e Prokurorisë Speciale për aktakuzë si deklaratë linçuese e cila nuk e bën askënd fajtor.

Sipas Hoxhajt një gjë të tillë është dashur që Bildt ta theksonte në tekstin e tij.

“E ardhmja dhe stabiliteti i Kosovës janë më të rëndësishme sesa disa pretendime të diskutueshme”, ka shkruar Hoxhaj në reagimin e tij ndaj shkrimit të Carl Bildt.

Pa reaguar nuk ka qëndruar Bildt, i cili i ka thënë Hoxhajt se pikërisht aty është poenta, që stabiliteti dhe fuqia e Kosovës janë më të rëndësishme në këtë moment sesa fatet individuale.

“Ky është saktësisht qëllimi ynë. Stabiliteti dhe fuqia e Kosovës janë ato që janë kyçe në këtë moment kohor – jo vlerësimet individuale”, ka qenë kundërpërgjigja e Bildt.

Më 24 qershor, Prokuroria Speciale e Hagës ka publikuar aktakuzën që i ka dërguar për shqyrtim gjyqtarit të procedurës paraprake. Në aktakuzën 10 pikëshe, gjithmonë sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, Thaçi dhe Veseli janë të dyshuar për krime të ndryshme dhe për rreth 100 vrasje.

(Kosova Sot Online)