A e transmeton mushkonja tigër koronavirusin? Ky është raporti i studimit të fundit

  • E.K /
  • 27 June 2020 - 20:50
 A e transmeton mushkonja tigër koronavirusin? Ky është raporti i studimit të fundit

Një studim i ri nga Instituti italian i Shëndetit, ISS, ka zbuluar se mushkonjat nuk janë në gjendje ta transmetojnë koronavirusin te njerëzit. Kjo është deklarata e këtij instituti këtë të enjte duke rikonfirmuar edhe një herë raportin e OBSH’së për këtë fakt.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, nuk ka deri tani asnjë provë që virusi të mund të transmetohet nga insektet që thithin gjakun nga një njeri tek një tjetër.

Megjithatë, studimi i fundit, i kryer në bashkëpunim me IZSV, një organizatë kërkimore për shëndetin e kafshëve dhe sigurinë e ushqimit, zbuloi se as mushkonja tigër dhe as mushkonja e zakonshme nuk mund të transmetojnë SARS-CoV-2.

“Studimi tregoi se virusi, i injektuar tek mushkonja përmes një gjaku të infektuar, nuk ishte në gjendje ta përsëriste atë”,- tha ISS në deklaratë, duke përjashtuar kategoriskisht transmetimin e COVID-19 përmes kafshimit të mushkonjave.

Që nga paraqitja e parë në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi është përhapur në të paktën 188 vende dhe rajone. SHBA, Brazili, Rusia dhe disa vende evropiane kanë pësuar aktualisht goditjen më të fortë në botë nga koronavirusi.

(Kosova Sot Online)