Kryeministri Hoti pret në takim lamtumirës ambasadorin hungarez

  • G.G /
  • 29 June 2020 - 13:13
Kryeministri Hoti pret në takim lamtumirës ambasadorin hungarez

Kryeministri Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Márkusz.

Hoti e falënderoi ambasadorin Márkusz për punën e tij të përkushtuar në Kosovë, si dhe për përkrahjen e përhershme që Hungaria i ka dhënë vendit tonë.

Gjatë këtij takimi, Hoti e njoftoi ambasadorin hungarez për prioritet e Qeverisë së Kosovës dhe për hapat që po ndërmerren për menaxhimin e pandemisë Covid 19 dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

Po ashtu, kreu i Qeverisë potencoi se Kosova dhe Hungaria i kanë të gjithë mundësitë që ta intensifikojnë bashkëpunimin në mes të dyja vendeve, sidomos në sektorin ekonomik, në infrastrukturë, në arsim etj.

Duke i uruar ambasadorit László Márkusz suksese në detyrat e tij të ardhshme, Hoti tha se institucionet dhe qytetarët e Kosovës, dhe ai personalisht, e vlerësojnë lart punën e ambasadorit Márkusz gjatë mandatit të tij në Kosovë.

Ndërsa, ambasadori Márkusz, pasi e falënderoi kryeministrin Hoti për këtë takim lamtumirës dhe për bashkëpunimin e mirë me Qeverinë e Kosovës, shprehu bindjen se marrëdhëniet në mes Hungarisë dhe Kosovës do të thellohen edhe më tej.

“Për Hungarinë, Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht e kulturalisht janë pjesë e Evropës, ndaj ne vlerësojmë se e ardhmja juaj e përbashkët është në Bashkimin Evropian”, tha ambasadori Márkusz.

(Kosova Sot Online)