Juristi i reagon Kryeministrit, tregon kur është vepër penale mosbartja e maskës

  • E.K /
  • 29 June 2020 - 16:55
 Juristi i reagon Kryeministrit, tregon kur është vepër penale mosbartja e maskës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot pas mbledhjes së Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus, ka thënë se personat që nuk i zbatojnë masat (vendosjen e maskës, distancën fizike, larjen e duarve), bëjnë vepër penale. Ndaj kësaj deklarate të Hotit, ka reaguar juristi Ehat Miftaraj. Ai po thotë se kjo nuk përbën vepër penale.

“Masat janë të thjeshta, shumë të thjeshta dhe shumë të qarta: maskat, distanca fizike, larja e duarve, tri gjëra të thjeshta. Jemi të obligueshëm që të gjithë t’i ndërmarrim këto masa. Kur ecim në rrugë, kur hipim në autobus, kur vijmë në punë, kur shkojmë në biznes, kur hyjmë në market, kur hyjmë në barnatore, gjithkund. Çdokush që nuk i zbaton këto masa bën vepër penale, sepse rrezikon shëndetin e vet, jetën e vet dhe të qytetarëve të tjerë”, deklaroi sot kryeministri Avdullah Hoti.

Por, këto deklarata të Hotit, po i hedh poshtë juristi Ehat Miftaraj.

Përmes një statusi në Facebook, Miftaraj ka thënë se vepër penale përbën vetëm në rastin kur dikush e di që është i infektuar dhe nuk merr masa për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Vepër penale është vetëm për ata që janë të infektuar dhe e dinë që janë të infektuar përmes testimit, dhe nuk marrin masa mos me perhap sëmundjen”, ka shkruar Miftaraj.

Miftaraj ka përmendur edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë, të udhëhequr në atë kohë nga Arben Vitia, për karantinim të komunës së Dragashit dhe Istogut, ku ishte konstatuar se MSH’ja kishte tejkaluar kompetencat e veta dhe kishte bërë shkelje.

“Gjykata arsyetoi se në përcaktimin e mosrespektimit të masave të parashikuara përmes Vendimeve të lartcekura si “kundërvajtje administrative”, Ministria e Shëndetësisë, ka tejkaluar autorizimet ligjore të përcaktuara përmes Ligjit nr. 02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse”, ka shkruar Miftaraj.

“Gjykata theksoi se bazuar në Ligjin nr. 05/L-087 për Kundërvajtje, kundërvajtjet dhe sanksionet përkatëse, mund të përcaktohen vetëm me ligj të Kuvendit të Republikës ose me akte të Kuvendit të një Komune, dhe se ky autorizim nuk mund të bartet në organe të tjera. Rrjedhimisht, kundërvajtjet administrative të përcaktuara përmes këtyre tri Vendimeve të kontestuara, nuk janë “të përcaktuara në ligj” dhe për pasojë, u shpallën jokushtetuese”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)