Programi i Presidencës Gjermane: Vizat dhe dialogu me Serbinë nuk specifikohen si prioritete të larta për Berlinin

  • A.P /
  • 01 July 2020 - 11:45
Programi i Presidencës Gjermane: Vizat dhe dialogu me Serbinë nuk specifikohen si prioritete të larta për Berlinin

Gjermania nga sot ka marrë kryesimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm. Presidenca gjermane nga 1 korriku deri më 31 dhjetor duket se nuk do të ketë në fokus as liberalizimin e vizave për Kosovën dhe as përmbylljen e dialogut me Serbinë edhe pse per këto cështje gjermanët kanë folur shumë publikisht. Në programin 15 faqësh të publikuar, fokusi kryesor do të jetë rimëkëmbja ekonomike e BE’së pas pandemisë Covid-19.

Gjermania gjatë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian moton kryesore do ta ketë “Bashkë për rimëkëmbjen e Evropës”.

Në programin e publikuar tek parimet udhëzuese ku do të fokusohet shteti gjerman gjatë presidencës së saj do të jenë: I. Përgjigja e Evropës ndaj pandemisë Covid-19, II. Një Evropë më e fortë dhe më kreative, III. Një Evropë e drejtë, IV. Një Evropë e qëndrueshme, V. Një Evropë e sigurisë dhe e vlerave të përbashkëta, VI. Një Bashkim Evropian efektiv për rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe të mbështetur në bashkëpunim.

Në politikën e jashtme sipas këtij programi, në pikën gjashtë të parimeve udhëzuese përmendet përkrahja e Gjermanisë ndaj Përfaësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE’së.

Ndër të tjera thuhet se Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për shtetet e Ballkanit Perëndimor si dhe për shtetet fqinjë të lindjes e jugut si dhe për kontinentin fqinj, Afrikën.

Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk përmendet askund të parimet udhëzuese të këtij programi e as përbyllja e dialogut me Serbinë.

Fokusi kryesor në Ballkan për Gjermaninë gjatë presidencës së saj, sipas programit 15 faqësh do të jetë vazhdimi i negociatave për anëtarësim të Serbisë e Malit të Zi në BE dhe fillimi i negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ne jemi duke bërë thirrje për një perspektivë të besueshme të pranimit në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Afrimi i tyre drejt Bashkimit Evropian është në interesin e Ballkanit Perëndimor dhe në interesin strategjik të vetë BE-së. Përballë këtij sfondi, ne jemi duke u qëndruar pranë vazhdimisht negociatave të vazhdueshme për anëtarësim me Serbinë dhe Malin e Zi dhe duke u përgatitur për fillimin e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore përmes draftimit të kornizës negociuese për këto dy shtete, duke e marrë parasysh metodologjinë e re për zgjerim”, thuhet tutje në pjesën e fundit të programit që ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor.

Pak ditë para se Gjermania të marrë kryesimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, 32 deputetë të Parlamentit Evropian i kanë dërguar letër Kancelares Angela Merkel ku i është kërkuar që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të futet në agjendën e Këshillit të Bashkimit Evropian gjatë presidencës gjermane.

(Kosova Sot Online)