Zyrtarja Qeverisë pozitive me COVID -19, thotë se ne Kosovë nuk u trajtua dinjitetshëm, u testua në Shkup

  • E.K /
  • 01 July 2020 - 16:19
 Zyrtarja Qeverisë pozitive me COVID -19, thotë se ne Kosovë nuk u trajtua dinjitetshëm, u testua në Shkup

Rozafa Ukimeraj, Sekretare në Ministrinë e Pushtetit Lokal, ka njoftuar se ka rezultuar pozitive në testin për COVID-19.

Ukimeraj ka thënë se që nga dita e hënë është në izolim dhe se po ndjehet mirë, derisa u ka bërë thirrje kontakteve të saj që të bëjnë kontrolle mjekësore.

Ajo gjithashtu ka treguar se testin për COVID-19 e ka kryer në Maqedoninë e Veriut, pasi thotë se nuk ka arritur që të marrë trajtimin e duhur në institucionet shëndetësore në Kosovë.

“Unë sot kam rezultuar pozitiv me virusin Corona. Unë jam në vetizolim që nga dita e hënë dhe po ndiehem mirë me shëndetin. Po shpresoj se do t’ia tejkaloj edhe këtë sfidë. Edhe pas shumë përpjekjeve, unë nuk arrita të trajtohesha dinjitetshëm nga institucionet shtetërore, prandaj testimin e kam kryer në Maqedoninë Veriore”, ka shkruar Ukimeraj.

Ajo bën thirrje të gjithë personave që kanë pasur kontakt me të, të bëjnë kontrolle mjekësore, sepse sipas saj nuk do t’i kontrollojë askush nga institucionet përgjegjëse.

“Të gjithë ata që kemi pasur kontakte, ju lutem, bëni kontrolle mjekësore, meqë nuk do të kontrolloheni nga ndonjë institucion përgjegjës”, ka shkruar më tej ajo.

Sipas praktikës së fundit, rastet e kontakteve me coronavirusin më nuk do të testohen, por vetëm ata të cilët kanë simptoma.

(Kosova Sot Online)