Si pritet të jetë moti në Kosovë gjatë korrikut? Parashikimi për secilën javë

  • E.K /
  • 01 July 2020 - 18:57
 Si pritet të jetë moti në Kosovë gjatë korrikut? Parashikimi për secilën javë

Të nxehtit afrikan që ka kapluar rajonin tonë, duket se do të jetë afatshkurtër, ngase prej fundjavës pritet mot jostabil me reshje shiu e bubullima, ndërsa temperaturat do të pësojnë rënie, bën të ditur Prishtina Weather.

Shërbimi i meteorologjisë njofton se “javët në vijim parashihet të kenë temperaturat më të ulëta, me më shumë periudha me të reshura shiu. Tek nga fundi i muajit korrik dhe në fillim të muajit gusht temperaturat do të rikthehen përreth vlerave mesatare, ndërsa të reshurat do të kenë anomali negative”.

PW ka prezantuar tendencat e parashikuara nga Qendra për Parashikime Afatmesme Evropiane (ECMWF), të cilat janë përpunuar në fillim të kësaj jave:

29.06-5.07.2020 – Kjo javë do të përfundojë me anomali termike pozitive për shkak të të nxehtit afrikan që ka kapluar rajonin tonë, me temperatura maksimale që mund të arrijnë edhe deri në 35C. Reshjet parashihet që të jenë pak mbi vlera mesatare, për shkak që nga fundjava pritet destabilizim i motit, me rënie të temperaturave e parashihen edhe zhvillime të shtrëngatave me shi.

6.07-12.07.2020 – në javën e dytë të muajit korrik temperaturat do të jenë më të ulëta, e parashihen edhe periudha më të shpeshta të të reshurave.

13.07-19.07.2020 – edhe java e tretë mbetet më e freskët, me temperatura pak sa më të ulëta dhe me më shumë të reshura.

20.07-26.07.2020 – në javën e katërt të muajit korrik vërehet një trend në rajon që temperaturat të luhaten më afër vlerave mesatare, derisa sasia e të reshurave do të luhatet përreth vlerave mesatare.

27.07.2020 – 2.08.2020 – në javën e fundit të muajit korrik temperaturat mbeten pak të ulëta, megjithëse trendi në rajon paraqet temperaturat në rritje pak mbi vlera mesatare. Për sa i përket të reshurave priten më pak të reshura, ndaj edhe mund të ketë më shumë periudha me diell gjatë kësaj jave.

Si gjithmonë këto janë vetëm tendenca të motit për javët në vijim, prandaj edhe nuk duhet të merren si parashikime me saktësi të lartë. Trendet javore përgatiten nga Qendra Evropiane e Parashikimeve Afatmesme (ECMWF) dy herë në javë, duke iu referuar vrojtimeve më të fundit atmosferike e meteorologjike që mblidhen anembanë globit nëpër stacione meteorologjike por edhe nga matjet satelitore.

(Kosova Sot Online)