Qytetarja akuzon Komunën e Prishtinës për shkatërrim të biznesit

  • A.P /
  • 02 July 2020 - 11:54
Qytetarja akuzon Komunën e Prishtinës për shkatërrim të biznesit

Një qytetare nga Prishtina po e akuzon Komunën se po ia shkatërron biznesin familjar. Kjo pasi sot Inspeksioni bashkë me policinë kanë larguar tarracën e lokalit të saj në kryeqytet. Por, drejtori i Inspeksionit, Adonis Tahiri, po thotë se Policia e Kosovës ka kërkuar që lokaleve në Pallatin i Rinisë të mos iu vazhdohet leja për shfrytëzim të hapësirës publike

G.S. ka shkruar në Facebook se biznesi familjar po shkatërrohet në kohë pandemie, pasi Komuna e Prishtinës ka larguar tarracën e lokalit.

“Komuna e Prishtinës është duke ma shkatërrua biznesin familjar në këtë kohë pandemie. Biznes i udhëhequr nga nana ime qe 25 vite tek Neëborn, Pasticceria Pianno, e me punëtore krejt vajza. E tërë ditën dalin në media për fuqizimin e gruas në biznes. Plus i kane thirrë 40 policë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka akuzuar të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, se nuk po i përkrah bizneset në kohën e pandemisë, qysh kishte premtuar.

“Shpend A. Ahmeti, ku të mbetën fjalët që ke me e përkrah ekonominë në kohë pandemie? Çfarë përkrahje është kjo? Marre po më vjen që jam kthyer me punua për këtë vend”, ka shkruar ajo.

Por, i pari i Inspeksionit në Prishtinë, Adonis Tahiri, ka thënë për Express se pronarët e lokaleve kanë qenë të njoftuar për procedurat e rrënimit.

“Vendimi për largim është marrë në mars por për shkak të pandemisë nuk kemi vepruar deri tash. Palët e të tre lokaleve kanë qenë të njoftuar me kohë për të gjitha procedurat. Sot, po kryejmë punën tonë, në zbatimin e vendimeve”, ka thënë Tahiri.

Ai bëri të ditur se ka pasur raste të hapura në polici për zonën ku gjenden këto lokale.

Madje, ai thotë se Policia e Kosovës ka kërkuar që këtyre lokaleve t’u refuzohet vazhdimi i lejes për shfrytëzim të hapësirës publike.

“Ka pasur shumë probleme dhe raste të hapura në polici për atë zonë, dhe si rrjedhojë, me kërkesë të Policisë së Kosovës u është refuzuar vazhdimi i lejes për shfrytëzim të hapësirës publike”, deklaroi Tahiri.

(Kosova Sot Online)