Gjithçka që dihet rreth vrasjes e plagosjeve në Lipjan

  • S.A /
  • 04 July 2020 - 08:21
Gjithçka që dihet rreth vrasjes e plagosjeve në Lipjan

Një përleshje me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Hallaq të Madh në Lipjan. Plagëve që ka marrë gjatë kësaj përleshje nuk ka mundur t’iu mbijetojë një person, derisa janë plagosur pesë të tjerë. Por, ende nuk dihet se cila ishte arsyeja e kësaj përleshje.

Për këtë rast, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka ndaluar tetë persona.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar tetë persona të përfshirë në rastin e vrasjes në Hallaq të Madh në Lipjan, me dyshimin se njëri prej tyre ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 të KPRK-së, një person i dyshuar për veprat penale “Vrasja në tentativë”, nga neni 172 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366”, katër persona të dyshuar për veprat penale “Ndihma”, nga neni 33 të KPRK-së dhe “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 187 të KPRK-së, si dhe dy persona të dyshuar për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 187 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Deri më tani nuk dihen motivet, megjithatë, T7 raporton se dy familjet janë fqinj nga fshati Ribar i Madh.

Fqinjët e dy familjeve kanë bërë të ditur për televizionin se më parë nuk kishte pasur konflikte në mes të familjes Hoxha dhe Jakupi.

Bahri Tërpeza ka thënë  se dy familjet kanë punuar edhe më parë në disa biznese së bashku.

“Rasti që e dëgjova është i dhimbshëm. Këto dy familje Hoxha e Jakupi kanë qenë të afërt mes vete s’kan pasur konflikt më heret. Kanë punuar në disa biznese. Gjithë kanë pasur bashkëpunim mes vete kanë qenë të afërt mes vete”, ka thënë komshiu i tyre

Lavdim Troshupa, një komshi tjetër ndërkaq ka bërë të ditur për televizionin se personi që ka ndërruar jetë kishte ardhur nga Zvicra para pak ditësh.

“Po tash e bastisën njërën nga shtëpitë. I gjetën dy thika e një shufër. Është e vërtete e kanë çu mes vete shumë mirë. Njëri nga djemtë e njërës familje ka ba fjalë me këta të familjes Hoxha. I ndjeri ka ardhur nga Zvicra para tri dite”, ka thënë ai.

Detaje për rastin kanë dhënë edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka thënë se hetuesit policorë janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.

“Bazuar në të dhënat fillestare në këtë vend janë plagosur 6 persona, prej tyre një mashkull, shtetas i Republikës se Kosovës, i cili nuk ka mundur t’u përballojë plagëve të marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Aktualisht hetuesit policorë janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, tha Ahmeti.

(Kosova Sot Online )