Hoti planifikon 400 milionë euro në kuadër të pakos për rimëkëmbjen ekonomike

  • E.K /
  • 04 korrik 2020 - 11:55
 Hoti planifikon 400 milionë euro në kuadër të pakos për rimëkëmbjen ekonomike

Kryeministri Avdullah Hoti sot ka prezantuar planin e qeverisë së tij për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë Covid-19 në një bashkëbisedim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe Odën Ekonomike Amerikane në Kosovës.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se Qeveria po pret kalimin e rishikimin të buxhetit nga Kuvendi dhe vazhdimin e zbatimit të masave nga pakoja emergjente fiskale, si dhe fillimin e nisjes së zbatimit të masave nga pakoja e rimëkëmbjes i cili tash është pjesë e programit qeverisës.

“Në parim jemi dakorduar të kemi një pako të rimëkëmbjes ekonomike e cila ndihmon bizneset dhe familjet në masën në të cilën janë prekur nga pandemia. Vlerësimet e Bankës Qendrore dhe të FMN-së janë për një rënie prej 5% prej fillimit të pandemisë,” tha Kryeministri Hoti, duke shtuar se fondi për rimëkëmbje ekonomike është rreth 400 milionë euro që është e përafërt me rënien ekonomike. Ai tha se do të mbështesim bankat komerciale që të ruajnë normat e interesit që janë ofruar para shpërthimit të pandemisë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi tha se odat ekonomike kanë qenë në kontakt me Kryeministrin, Qeverinë për të ngritur shqetësimet e sektorit privat dhe rekomandimin e veprimeve që do të mundësonin zbatonin e masave të pakos së rimëkëmbjes. Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka sqaroi se të dy odat ekonomike kanë bashkërenduar propozimet me Bankën Qendrore për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë COVID19, të cilat i janë prezantuar Qeverisë dhe ministrive përkatëse.

Përfaqësuesit e bizneseve të cilat morën pjesë në këtë konferencë virtuale nga sektorë të ndryshëm si prodhim ushqimi e veshmbathje, tregti të ushqimit, medie, gastronomi, tregti të karburanteve, sigurime fizike, adresuan shqetësimet e tyre të cilat kryesisht kishin të bënin me rënien e konsumit dhe likuiditetin e vështirësuar, qasjen në financa dhe mbështetjen në eksport.

(Kosova Sot Online)