64 të vdekur nga koronavirusi në Kosovë

  • E.K /
  • 04 korrik 2020 - 20:10
 64 të vdekur nga koronavirusi në Kosovë

Gjashtë viktima i janë shtuar sot listës së të vdekurve nga koronavirusi në Kosovë, duke çuar në 64 numrin e përgjithshëm të tyre.

Po kalojnë pothuajse pesë muaj që nga shfaqja e pandemisë Covid-19 në vendin tonë, ndërsa deri më sot janë shënuar dhjetëra viktima si pasojë e infektimit me koronavirus, të cilët nuk kanë arritur të përballojnë më gjatë këtë infeksion.

Gjatë ditës së sotme është shënuar numri më i madh i të vdekurve brenda 24 orëve që nga 22 marsi kur edhe u regjistrua viktima e parë nga Covid-19 brenda territorit të Kosovës.

Sipas njoftimit nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, në Klinikën Infektive ka vdekur një pacient, në atë të Pulmologjisë dy dhe në Mjekësinë Sportive tre.

Pacientët që kanë përfunduar me vdekje janë: Sh.I. (1949) -Prishtinë; F.H (1948) -Viti, R.K (1950)-Mitrovicë, B. G (1960)-Vushtrri, S. T. (1949) – Fushë Kosovë dhe V. SH. (1982)- Pejë.

Ndërkaq, plaku 82 vjeçar nga komuna e Podujevës ishte personi i parë që kishte vdekur nga koronavirusi në Kosovë, i cili vdiq në pjesën e dytë të muajit mars, vetëm nëntë ditë pasi Covid-19 preku Kosovën.

Numri i rasteve të reja me COVID-19 në javët e  fundit është rritur dukshëm, kurse gjatë ditës së sotme ende nuk dihet se sa persona kanë rezultuar pozitiv së fundmi.

Që nga fillimi i pandemisë në mes të marsit, Kosova ka konfirmuar në total 3,178 raste me koronavirus.

(Kosova Sot Online)