Osmani ngushëllon familjet e personave që vdiqën nga Covid-19: Të bëhet ligji kundër koronavirusit

  • S.A /
  • 04 July 2020 - 22:35
Osmani ngushëllon familjet e personave që vdiqën nga Covid-19: Të bëhet ligji kundër koronavirusit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në Facebook, ngushëlloi familjet e atyre që vdiqën sot nga koronavirusi.

Gjithashtu, Osmani bëri thirrje që cështja e shëndetësisë të vihet si prioritet nga qeveria, sepse sipas saj, as ekonomia nuk do të mbijetojë nëse nuk sigurohet shëndeti i popullatës sonë.

Tutje, Osmani tha se qeveria duhet ta mbajë peng Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19.

Në fund, Osmani kujtoi se ky virus vret dhe tha të mos ju besohet atyre që thonë se nuk ekziston e e minimizojnë rrezikun.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Osmanit:

Sot ishte ditë e rëndë për Kosovën. Humbëm gjashtë jetë njerëzish nga virusi Covid-19. Jetët, edhe kur shtrëngohemi t’i përmbledhim në numra, nuk janë numra, sepse prapa secilës jetë, prapa secilës humbje, qëndron një histori njerëzore, qëndron dhimbja e prindërve për fëmijët e tyre ose e fëmijëve për prindërit dhe në fund dëshpërimi për humbjen e madhe.

Ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre. Ndaj dhimbjen me secilën familje të prekur dhe lutem që të sëmurët nga virusi të shërohen sa më parë. Bëj thirrje edhe një herë që mbrojtja e të drejtës në jetë të vendoset prioritet mbi prioritetet, sepse as ekonomia e as fushat e tjera nuk do të mbijetojnë nëse nuk sigurojmë shëndetin e popullatës sonë. Qeveria duhet mos ta mbajë më peng Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, të cilin e kemi inicuar dhe hartuar në Kuvend qysh në prill, por ta sjellë urgjentisht në mënyrë që të mund ta amandamentojmë dhe pastaj miratojmë. Ky ligj është posaçërisht i nevojshëm për t’i dhënë kompetenca shtesë organeve ligj-zbatuese në mënyrë që të ndërmerren masa strikte për parandalimin e pandemisë.

Ky virus vret. Mos u besoni atyre që thonë se nuk ekziston. Mos u besoni as atyre që e minimizojnë rrezikun. Prandaj të kujdesemi secili për veten e familjet tona duke mbajtur maska, distancë e higjienë.

(Kosova Sot Online )