Kroacia mban zgjedhje në kohën e shtimit të rasteve të koronavirusit

  • A.P /
  • 05 July 2020 - 12:33
Kroacia mban zgjedhje në kohën e shtimit të rasteve të koronavirusit

Sot mbahen zgjedhjen parlamentare në Kroaci, në kohën kur vendi ballkanik po përballet me rënie të madhe ekonomike dhe rritje të numrit të rasteve të koronavirusit.

Partia që deri më tani ka qenë në pushtet, Unioni Demokratik Kroat, në bazë të sondazheve ka epërsi të vogël ndaj rivales kryesore, Partisë Socialdemokratike. Pritet që asnjëra prej këtyre partive të mos fitojë vota të mjaftueshme për ta formuar qeverinë pa koalicion.

“Në këtë kohë sfiduese për shëndein publik dhe për ekonominë, Kroacia meriton të qeveriset nga njerëz me përvojë dhe të përgjegjëshëm”, tha kryeministri dhe kryetari i Unionit Demokratik Kroat, Andrej Plenkoviq gjatë kësaj jave para përkrahësve të partisë. Ai i kritikoi kundërshtarët politikë për mungesë të vizionit dhe të përvojës.

Qendrat e votimit janë hapur në orën shtatë të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën shtatë të mbrëmjes. Rezultatet e para preliminare pritet të publikohen rreth dy orë pas mbylljes së qendrave të votimit, shkruan “Reuters

Qeverinë e re e presin detyra të vështira, sepse do të përballet me presionin për ta menaxhuar situatën me pandeminë dhe njëkohësisht të përpiqet ta rimëkëmbë ekonominë e dëmtuar, e cila pritet të tkurret për 10 për qind gjatë këtij viti. Për më tepër, të ardhurat nga turizmi pritet të ulen për 70 për qind.

Disa analistë besojnë se dy partitë më të mëdha do të jenë të detyruara t’i bashkojnë forcat pasi mundësia për formimin e një koalicioni të qëndrueshëm me partnerë të tjerë mund të jetë e vështirë.

Ndryshe, Kroacia deri më tani i ka regjistruar rreth 3,000 të infektuar me koronavirus dhe përfaërsisht 100 të vdekur. Këto shifra janë relativisht të ulëta, por numri i rasteve të reja është rritur gjatë dy javëve të fundit.

(Kosova Sot Online)