Meksika ia zë Francës vendin e pestë për më së shumti viktima të koronavirusit

  • A.P /
  • 05 July 2020 - 14:07
Meksika ia zë Francës vendin e pestë për më së shumti viktima të koronavirusit

Ka shkuar në 30,366 numri i përgjithshëm i viktimave të koronavirusit në Meksikë. Kjo shifër e vendos vendin e Amerikës Veriore në vendin e pestë në botë, duke e lënë tashmë prapa Francën.

Gjatë 24 orëve të kaluara, në këtë shtet u regjistruan 525 viktima të virusit të ri. Përpos të vdekurve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe rreth 6,000 raste të reja të infektimeve dhe numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në 251,165 persona.

Rreth 200 shitës të rrugës i bllokuan për një kohë të shkurtër disa rrugë të rëndësishme në kryeqytetin New Mexico për ta kërkuar lejimin e aktivitetit të tyre në kohën e pandemisë, shkruan “France24”.

Zyrtarët e kanë lejuar rihapjen e pjesshme të qendrës së kryeqytetit këtë javë, ndonëse numri i rasteve të koronavirusit po vazhdon të rritet. Megjithatë, ata e ndryshuan këtë vendim të premten për shkak të mungesës së masave sanitare në disa dyqane.

Përderisa shumica e klientëve dhe punëtorëve mbanin maska, shumë dyqane nuk e kufizuan numrin e blerësve brenda lokaleve dhe nuk ofruan dezinfektues.

Meksika dhe Brazili janë dy vendet më të prekura nga koronavirusi në Amerikën Latine, por pandemia është përhapur mjaft shumë edhe në shtete të tjera të kësaj pjese të botës.

(Kosova Sot Online)