Ujësjellësi paralajmëron reduktime të ashpra, disa komuna rrezikojnë të mbesin pa ujë

  • A.P /
  • 06 July 2020 - 12:28
Ujësjellësi paralajmëron reduktime të ashpra, disa komuna rrezikojnë të mbesin pa ujë

Tetë komuna të Kosovës, ajo e Prishtinës, Lipjanit, Obiliqit, Fushë Kosovës, Podujevës, Shtimes, Drenasit e Graçanicëc, të cilat furnizohen më ujë të pijshëm nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” rrezikohen të përballën më reduktime të ashpra të ujit për shkak të rënies së nivelit në liqenet akumuluese për shkak të temperaturave të larta dhe mungesë së reshjeve të shiut.

Aktualisht reduktimet janë paralajmëruar për komunën e Lipjanit, mirëpo nuk përjashton mundësinë që nëse nuk do të ketë reshje shiu të mjaftueshme, nga kjo javë të ketë reduktime edhe në zona të tjera.

Mirëpo edhe përkundër paralajmërimeve, disa prej tetë komunat, nuk kanë alternativa tjera për furnizimin me ujë të qytetarëve të tyre, përveç ujësjellësit KRU “Prishtina”.

Komuna e Lipjanit në një përgjigje për lajmi.net ka akuzuar Kompaninë Rajonale “Prishtina” se nuk ka bashkëpunuar më këtë komunë për hapjen e burimeve të reja të furnizimit me ujë.

Zëdhënësi i kësaj komune, Dijamat Bajraj ka thënë se këto kërkesa i kanë adresuar vazhdimisht, por që nuk kanë gjetur mirëkuptim.

Ai po ashtu ka thënë se ata nuk kanë tjetër opsion përveç ujësjellësit, pasi nuk kanë burime të tjera të ujit.

“Ata nuk munden me përdor asnjë arsye për mosfurnizim me ujë. Ne kemi një kohë të gjatë që si komunë ju kemi ofruar gatishmëri që me investu bashkë me ta me hapë burme të reja me hapë puse të reja dhe me i rregull defektet që ka pasur në përmasimin e rrjetit për furnizim me ujë. Këto kërkesa na i kemi adresuar kohë pas kohe por nuk kemi gjetur mirëkuptim. Edhe një përgjegjësi tjetër që e ka Ujësjellësi është se çdo konsumatorë që e ka ujëmatësin faturohet edhe një euro më shumë për mirëmbajtje të rrjetit dhe të kanalizimin e që asnjëherë ata nuk dalin me i riparuar këto defekte. Për këtë shkak komuna duhet me u marr edhe me rrjetin e kanalizimit e që është nën përgjegjësin e tyre, pra riparimin e defekteve. Ne e kemi një projekt me CDU-në  për një pjesë të fshatrave. Por strategji tjetër përveç ujësjellësit ne nuk kemi. Ne po ofrojmë bashkëpunim me Ujësjellësin me rregull defekte edhe me furnizu qytetarët, tjetër opsion ne nuk po dim për shkak se nuk kemi burime të tjera të ujit”, ka thënë Bajraj.

Edhe nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, në një intevistë për lajmi.net ka thënë se nuk kanë paraparë burime të tjera të furnizimit me ujë për qytetarët e Prishtinës, por që ai thotë se beson që nuk do të këtë reduktime për shkak të reshjeve të shiut në ditët  e fundit

“ Reduktimet janë paralajmëruar por nuk do të ketë reduktime të mëdha fal reshjeve të shitur, prandaj niveli i Badovcit edhe i Batllavës janë rritur mjaftë edhe nuk besoj që do të ketë reduktime. Sa i përket burimeve të tjera të tjera të furnizimit nuk janë të parapara. Me kryetarin Ahmeti kemi diskutuar por që me siguri e keni keqkuptuar kryetarin se nuk ka burime të tjera, por qytetarët të mos brengosën se kryeqyteti nuk do të mbetët pa ujë. Sikurse cdo vit edhe këtë vit do të ketë furnizim të rregullt. Por që shpenzimi dueht të jetë maksimal nga ana e qytetarëve që të mos përdorët për si kemi parë vitit e kaluara, që auto larjet të përdorin ujin e ujësjellësit rajonal”, ka thënë Nushi

Ndërsa, kryetari i komunë së Shtimes, Naim Ismajli ka thënë për lajmi.net thotë se komuna me të cilën ai udhëheq nuk i ekspozohet rrezikut të reduktimeve për shkak se kanë burime nëntokësore.

“ Unë besoj që në Shtime nuk ka arsye për reduktime, ne do të bisedojmë me ta se kanë paralajmëruar, për shkak se ne kemi burime nëntokësore. Kështu që ne nuk do t’i nënshtrohemi asnjë regjimi të Prishtinës për shkak se ajo e ka arsyen për shkak të ujërave të liqenjëve, ata i ekspozohen rrezikut. Ndërsa ne i kemi gjetur ujërat nëntokësore, janë puse, prandaj nuk presim me kanë ndonjë reduktim”, ka thënë Ismajli.

Se nuk beson që do të kenë reduktime të ujit nga Ujësjellësi “Prishtina”, thotë edhe nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmedin Rudari.

Rudari i ka thënë lajmit se kjo komunë furnizohet prej dy burimeve, prandaj sipas tij qytetarët e Podujevës nuk do të përballën me mungesë të ujit të pijes.

“Komuna e Podujevës furnizohet prej dy burimeve, furnizohet prej pusit në Peran një pjesë e qytetit dhe pjesa tjetër e qytetit edhe pjesa e fshatrave furnizohet prej ujësjellësit Batllava. Momentalisht nëse nuk ka thatësira ekstreme besoj nuk e kemi këtë problem, por ata janë ekspert dhe besojë duhet me ditë. Niveli është ngrit megjithëse nuk ka mbrri në kuotën maksimale. Por duhet me punur bashkë me institucionet komunale, me kompaninë me inspeksionin me mbikëqyrë shpenzimin e ujit të pjesë edhe me gjobit ata që keqpërdorin edhe shfrytëzojnë në mënyrë të padrejtë ujin e pijes. Ne po shpresojmë që gjendja në liqen nuk do të vijë duke u përkeqësuar, tash nuk e dim sa do të zgjasë periudha e thatësisë. Nuk po besoj që këtë vit do të kemi probleme”, ka thënë Rudari.

Kurse, zëdhënësi i komunë së Fushë Kosovës, Ali Topalli ka thënë për lajmi.net se kjo komunë nuk ka alternativë tjetër përderisa Kompania Rajonale “Prishtina” është kompetente dhe është faktori kryesorë i cili merret më furnizimin ujë të pijshëm.

“Ne nuk kemi alternativë përderisa Kompania Rajonale “Prishtina” është kompetente dhe është faktori kryesorë i cili merret më ujë të pijshëm, jo vetëm në Fushë Kosovë, por për krejt regjionin. Është strategji e tyre, sepse ne nuk mundemi tash të bëjmë ndonjë opsion tjetër sepse nuk kemi  burme të tjera. Nuk kemi ndonjë paralajmërim se çfarë do të behët edhe pse zyrtarisht nuk kemi marr ende diçka. Na për vite me radhë kemi bërë hapjen e pusave në shumë vende të caktuara, edhe tani një pjesë e mirë furnizohen edhe prej tyre. Kompania e ujësjellësit Rajonal “Prishtina” e furnizon qytetin e Fushë Kosovës, por jo të gjithë territorin e Fushë Kosovës, kështu që të shohim çfarë do të bëjmë”, ka thënë Topalli.

Në komunën e Obiliqit kanë thënë se ende nuk kanë marrë njoftim zyrtarë nga KRU “Prishtina, prandaj sipas tyre pasi të ketë njoftim zyrtar për reduktim do funksionalizojnë strategjinë e furnizimit, në mënyrë që qytetarët e Obiliqit të kenë furnizim të rregullt me ujin e pijes.

“Drejtoria e Shërbimeve Publike me Emergjencë e Komunës së Obiliqit, nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga ana e KRU “Prishtina” që do të ketë reduktime të ashpra, në këtë mënyrë pas kontaktit me KRU “Prishtina” kemi marrë konfirmim që nuk do të aplikojnë reduktime të furnizimit me ujë në Obiliq në këtë fazë, andaj ne si Komunë e Obiliqit gjithmonë në koordinim dhe bashkëpunim me KRU “Prishtina” pasi të ketë njoftim zyrtar për reduktim do funksionalizojmë strategjinë e furnizimit, në mënyrë që qytetarët e Obiliqit të kenë furnizim të rregullt me ujin e pijes”, ka thënë zëdhënësja e komunës, Arba Mirena.

Ndryshe, është paralajmëruar se nivelet e liqeneve nuk premtojnë furnizim të qëndrueshëm për pjesën në vazhdim të vitit.

(Kosova Sot Online)