Shtyhet gjykimi ndaj policit që dyshohet se kishte marrë kuletën me rreth 2 mijë euro gjatë bastisjes së kazinos

  • A.P /
  • 06 July 2020 - 12:33
Shtyhet gjykimi ndaj policit që dyshohet se kishte marrë kuletën me rreth 2 mijë euro gjatë bastisjes së kazinos

Për shkak të mungesës së prokurorit Ibrahim Berisha, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës, në rastin ku zyrtari policor, Shkumbin Jashari, po akuzohet për përvetësim të kundërligjshëm të pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Ai po akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës”.

Kryetari i trupit gjykues, Isuf Makolli ka bërë të ditur se në gjykatore nuk prezanton prokurori Berisha, i cili ka qenë i njoftuar për seancën e sotme sipas procesverbalit.

“Mos prezencën nuk e ka arsyetuar, gjykata ka kontaktuar përmes telefonit prokurorin e çështjes dhe i njëjti ka lajmëruar gjykatën se nuk mund të prezantoj në seancë për arsye të situatës së krijuar lidhur me pandeminë Covid-19”, ka deklaruar Makolli.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet me 8 shtator, me fillim nga ora 10:00.

Ndryshe, të dielën, në media është raportuar se edhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë është përhapur pandemia globale, COVID-19.

Sipas aktakuzës së ngritur me 6 maj 2019,  me datë 29 mars 2019,  Shkumbin Jashari, rreth orës 00:55, në cilësinë e personit zyrtar, polic i Kosovës, gjatë kontrollit të kryer në biznesin “Las Vegas 2”, i cili gjendet në lokacionin tek QMI, fillimisht zbërthen zingjirin e jaknës së uniformës policore, shfrytëzon rastin merr kuletën me para, e cila ishte e vendosur në banak të lokalit dhe e fut brenda jaknës, me të cilën ishte i ngarkuar punëtori i kazinos, tani i dëmtuari Alban Qerkini, e më pastaj vazhdon kontrollimin e lokalit, me c’rast të dëmtuarin i shkakton dëm në vlerë prej 2000 euro.

Tutje, dispozitivi i dytë i akuzës thotë se me 4 prill 2019, gjatë kontrollit të kryer nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në punëtorinë e të pandehurit, që gjendet në rrugën “Lulzim Jashari”, në Fushë Kosovë, i është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore e tipit Diana, model 25, si dhe 17 copë fishekë të llojeve të ndryshme të kalibrit 9x9mm, një palë pranga dhe një karikator, të cilat i mbante paautorizim. 

(Kosova Sot Online)