Komuna e Prishtinës thotë se inspektorët do të shqiptojnë gjoba nëse nuk respektohen masat që hyjnë në fuqi nga sonte

  • E.K /
  • 06 July 2020 - 17:00
 Komuna e Prishtinës thotë se inspektorët do të shqiptojnë gjoba nëse nuk respektohen masat që hyjnë në fuqi nga sonte

Drejtori i Inspeksionit të Prishtinës, Adonis Tahiri, ka njoftuar se inspektorët janë gati për të monitoruar respektimin e masave të reja të Qeverisë kundër përhapjes së koronavirusit.

Tahiri ka shkruar në Facebook se gjobat nuk janë qëllim, por po bëhen të domosdoshme.

“Sonte fillon zbatimi i masave të reja të Qeverisë. Inspektorët e Prishtinës do të jenë në krye të detyrës për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre masave. Gjoba nuk është qëllim në vete, por po bëhet mjet i domosdoshëm”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka apeluar që të respektohen masat e Qeverisë.

“Andaj, ju lutem, respektoni masat! Kujdesuni për veten dhe për të tjerët rreth jush!”, ka shkruar Tahiri.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës të dielën mbrëma ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Restorantet, kafenetë, klubet e natës dhe ndërmarrje tjera të ngjashme që ofrojnë shërbime të gastronomisë kudo në Kosovë nga sot e kanë të ndaluar që të ofrojnë shërbime brenda.

Përveç që këto ndërmarrje do të mbyllen tërësisht nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ato s’do të mund të punojnë në hapësira të mbyllura as jashtë këtij orari.

“Nga data 6 korrik 2020, të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme): Iu ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës; Jashtë këtij orari mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metrash hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet “merre me vete”“, thuhet në pikën 9 të vendimit të qeverisë.

(Kosova Sot Online)