Komuna e Prishtines jep të dhëna alarmante dhe këshilla, aktualisht 654 raste aktive me COVID-19 në kryeqytet

  • S.A /
  • 06 July 2020 - 19:02
Komuna  e Prishtines jep të dhëna alarmante dhe këshilla, aktualisht 654 raste aktive me COVID-19 në kryeqytet

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka treguar se aktualisht në kryeqytet janë 654 raste aktive me koronavirus

Përmes një shkrimi në Facebook, Gashi ka bërë të ditur se që nga data 20 mars e deri më tani, në Prishtinë janë konfirmuar 900 raste pozitive me koronavirus. Nga këto, 654 raste janë ende aktive.

“Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të rritjes së shpejtuar të rasteve me #covid19 në vend e në veçanti në Prishtinë. Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 900 raste me #covid19 prej të cilave 654 raste janë ende aktive. Kemi 241 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 5 raste që kanë përfunduar me fatalitet”, ka deklaruar Gashi.

Gashi ka bërë thirrje që të respektohen masat, për të parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit.

“Ju lusim shumë që bashkë të vazhdojmë me kujdes të shtuar, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e mëtutjeshme dhe rëndimin e situatës edhe më shumë. Të gjithë e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh e të jemi të ndërgjegjshëm. Vazhdoni t’i mbani maskat, dezinfektoni duart dhe mbani distancë”, ka shkruar Gashi.

(Kosova Sot Online )