“Shqiptari më i urryer në botë” mbështet Kanye West për president, ka një ofertë interesante për reperin

  • S.A /
  • 06 July 2020 - 19:54
“Shqiptari më i urryer në botë” mbështet Kanye West për president, ka një ofertë interesante për reperin

Ish-sipërmarrësi farmaceutik Martin Shkreli po e mbështet reperin Kanye West në garën presidenciale të këtij viti. Ai madje raportohet se i ka ofruar reperit shërbimet e tij për të ‘balancuar buxhetin’ në administratën e ardhshme të West.

West ‘ka votën dhe mbështetjen time”, shkroi Shkreli në një email. “Yeezy për President”, shkroi ai duke e quajtur reperin në njërin prej pseudonimeve të tij.

“Jam në dispozicion për sekretarin e thesarit ose kryetarin e rezervës federale. Unë menjëherë mund të balancoja buxhetin amerikan të mbushur me borxhe dhe shpenzime”, citohet të ketë thënë ai.

Është e paqartë se sa serioze është oferta e Shkrelit për post qeveritar. Zgjedhja e tij për të mbështetur Westin nuk është befasuese pasi edhe në të kaluarën ai ka shprehur dashurinë për muzikën rep, madje bleu një album të rrallë të Wu-Tang Clan në ankand.

Gjithashtu më parë ai i kishte ofruar West 10 milion dollarë për të publikuar albumin e tij të vitit 2016 “Te Life of Pablo’ vetëm për të.

Kanye West njoftoi se po garon për president më 4 korrik. Ai edhe në të kaluarën e ka shprehur këtë dëshirë, megjithëse nuk është e qartë nëse reperi e ka seriozisht apo po tallet.

 

37- vjeçari Martin Shkreli u bë  famshëm në vitin  2015 kur kompania e tij mori përsipër prodhimin e ilaçit anti-malarial Daraprim. Ai ngriti çmimin e pilulës nga 13.5 dollarë në 750 dollarë, gjë që çoi në një protestë të gjerë kundër ish-menaxherit të fondit mbrojtës.

Shkreli u dënua me shtatë vite burg dhe u dha urdhër për të paguar gjobën prej 7.4 milionë dollarësh pasi u shpall fajtor për komplotin e mashtrimeve të letrave me vlerë në vitin 2018.

(Kosova Sot Online )