Protesta për aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit, veteranët e UÇK’së e ndryshojnë komplet planin

  • A.P /
  • 07 July 2020 - 14:35
Protesta për aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit, veteranët e UÇK’së e ndryshojnë komplet planin

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së, në një konferencë për media kanë paralajmëruar mbajtjen e protestës të thirrur me datën 9 korrik edhe pse rekomandimi i IKSHPK’së për këtë organizatë ka qenë që tubimet masive është mirë të mos mbahen si pasojë e përhapjes së virusit.

Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL-UÇK’së ka thënë se protesta do të mbahet duke ndërruar taktikë,  në të gjitha degët e organizatës nëpër komuna, ku do të marrin pjesë deri 99 persona.

“IKSHPK’ja na ka rekomanduar që këto dy javë, nuk preferohet tubime të tilla sepse rrezikojnë shëndetin e popullatës, prandaj ne menduan që protestën të mos e prolongojmë, por të mbahet më 9 korrik, por do t’i delegojmë kompetencat tek degët e OVL’së nëpër komuna duke ndërruar taktikë. Vendosëm që cdo komunë ka të drejtë të protestojë në ora 12 të dalin vetëm 99 persona, ushtarë ose veteranë të UÇK’së, që simbolizon vitin 1999”, ka thënë Haradinaj para mediave.

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli u ka bërë thirrje të shtunën OVL UÇK’së që të anulojnë protestën e thirrur më 9 korrik, për shkak të gjendjes në vend me pandiminë Covid-19.

Por, OVL-UÇK ka refuzuar anulimin e protestës, duke ndryshuar planin e mbajtjes së saj.

Protesta do të organizohet në të gjitha komunat e Kosovës, dhe jo vetëm në Prishtinë ashtu siç ishte planifikuar për një tubim gjithëpopullor.


(Kosova Sot Online)