Rekord me numër të rasteve me koronavirus në Prishtinë, brenda 24 orëve 102 të infektuar

  • E.K /
  • 07 July 2020 - 20:27
 Rekord me numër të rasteve me koronavirus në Prishtinë, brenda 24 orëve 102 të infektuar

Ditën e hënë u vendos një rekord i ri i të infektuarve në kryeqytet. Gjithsej 102 persona nga Prishtina rezultuan pozitiv në testin për Covid-19. E në gjithë Kosovën u shënuan 195 raste.

Kështu kryeqyteti u bë edhe komuna e parë që e arrin këtë numër të të infektuarve për 24 orë.

Dikush nga qytetarët e sheh si tejet shqetësuese rritjen e numrit të rasteve dhe bën thirrje për kujdes të shtuar.

Shqetësuese këtë situatë e shohin edhe në komunën e Prishtinës.

Drejtori i Shëndetësisë, Bujar Gashi, thotë që për një muaj e gjysmë rastet me Covid-19  në Prishtinë janë dhjetëfishuar.

Ndërsa, Gashi i mirëpret masat e reja që u ndërmorën në Kryeqytet.

Ai pret që rezultati i këtyre masave të shihet nga mesi i këtij muaji.

“Secila masë jo vetëm ajo por edhe të tjerat që janë të nevojshme në prerjen e zinxhirit janë të mirëseardhura, dhe mendojmë që do të kemi rënie të këtyre rasteve nga mesi I këtij muaji.”

Ndërkohë në sheshet e kryeqytetit, lëvizjet e qytetarëve ishin të shumta.

Ani pse shumë nga ta mbartnin maska, distanca fizike në mes tyre mungonte.

Në Komunën e Prishtinës që nga arritja e pandemisë në Kosovë janë regjistruar 1002 raste me koronavirus, nga ta 742 janë ende aktiv, 255 janë të shëruar, ndërsa 5 persona kanë vdekur.

(Kosova Sot Online)