Ja kush thotë: Hashim Thaçi të japë llogari dhe të gjykohet, sepse ka varrosur 400 serbë të pafajshëm

  • A.P /
  • 08 July 2020 - 09:19
Ja kush thotë: Hashim Thaçi të japë llogari dhe të gjykohet, sepse ka varrosur 400 serbë të pafajshëm

Fatos Lubonja është një ndër të paktët shqiptarë, që e sheh si pozitive aktakuzën ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime luftë ndaj serbëve.

Image
Fatos Lubonja

Sipas Lubonjës, Hashim Thaçi me shokë duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të gjykohen, sepse kanë vrarë qindra serbë të pafajshëm.

Një një shkrim të botuar tek Panorama, natyrisht që ai sulmon edhe Ramën, pse doli në krah të Thaçit dhe ish-drejtuesve të UÇK-së.

Pjese nga shkrimi i Lubonjës

Pavarësisht se Thaçi dhe Rama nuk e thonë hapur, shkaku i njoftimit të prokurorit (me apo pa ndërhyrje politike) është pengimi i marrëveshjes që parashikohej të gatuhej në Uashington, ku ndërthureshin dy probleme që i bashkoi “rastësia” Thaçi: ndryshimi i kufijve të Kosovës, si dhe një amnisti për krimet e luftës, që nënkupton moshetimin dhe mosgjykimin e krimeve serbe dhe shqiptare, d.m.th. edhe të Thaçit. Po, a janë këto kundër interesit të popullit të Kosovës apo në favor të tij?

Për sa i përket ndryshimit të kufijve, ka shumë argumente që provojnë se mosndryshimi është në favor të shqiptarëve, jo vetëm si shqiptarë, por edhe si aspirues për t’u bërë së bashku me serbët, maqedonasit, malazezët e të tjerë. qytetarë europianë. Shqiptarët i pranojnë lehtësisht argumentet në favor të interesit të tyre direkt, mosdhënia e territorit në Veri, por e kanë më të vështirë kulturalisht të pranojnë se është në interesin e tyre edhe mosmarrja, – në respekt të ruajtjes së paqes së tyre në shtëpinë e madhe ku banojnë.

Megjithatë, është shumë më e vështirë të bindësh një pjesë të shqiptarëve, se është në interesin e tyre edhe një hetim e gjykim i drejtë i krimeve të eksponentëve të UÇK. Po përpiqem të jap disa argumente për këtë.

Pompeo i shkruan Thaçit në përgjigjen e tij: “Bërja drejtësi ndaj viktimave të krimeve të dyshuara në raportin Marty, shumë prej të cilave krime ndaj shqiptarëve, nuk i minon përpjekjet për të kërkuar drejtësi ndaj viktimave të tjera të akteve të urryera e kriminale të kryera në Kosovë. Të gjitha viktimat meritojnë drejtësi. Shkaktarët e krimeve të dyshuara, që po hetohen nga Prokurori Special, nuk mund të meritojnë pandëshkueshmëri ngase kriminelë të tjerë nuk janë përballur ende me drejtësinë”.

Shumë shqiptarë nuk dalin hapur kundër këtyre fjalëve, për shkak se ato janë imponuar nga më i forti, por brenda tyre nuk i pranojnë ato. Një shumicë e madhe ose i mohon, ose i nënvlerëson krimet e kryera, duke përdorur argumentet se janë kryer në kushte të jashtëzakonshme, në vlim ndjenjash hakmarrjeje ndaj viktimave, apo pse, sikurse i shkruan Thaçi Pompeos, shumica e agresorëve serbë nuk janë ndëshkuar, kurse po ndëshkohen vetëm shqiptarët. Por, thellëthellë, ky refuzim i njohjes së krimeve vjen sepse te ne mbizotëron një kulturë tjetër nga ajo e Pompeos. Është kultura e gjakmarrjes, sipas së cilës ke të drejtë të vrasësh çdo të pafajshëm mbi 15 vjeç, nëse një familjar i tij ka vrarë një pjesëtar të familjes tënde e kombinuar me kulturën sipas së cilës drejtësinë e bën më i forti, i cili, në sajë të fortësisë është edhe i pandëshkueshëm.

Gjykata Speciale u krijua për shkak të dështimit të UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe kjo jo vetëm për paaftësi a faj të ndërkombëtarëve, por kryesisht për shkakun e kulturës në fjalë. Si pasojë e saj, asnjë prokuror vendor nuk ka guxuar të hetojë individë nga radhët e UÇK-së. Në gjyqet që janë bërë, gjykatësit shqiptarë kanë votuar kundër. Jo vetëm, por përveçse për gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë, në Kosovë pati nevojë edhe për policë e gardianë të huaj, për shkak se të burgosurit nga radhët e UÇK-së i trajtonin gardianët shqiptarë (d.m.th. shtetin) siç trajton i forti të dobëtin. Për të mos folur për fatin e dëshmitarëve, që në vend të drejtësisë kanë përjetuar viktimizim të dytë.

Ajo që bie në sy është se në këtë kulturë, që veç të tjerash mbjell frikë dhe konformizëm në masë, përfshihet edhe LDK-ja që ka 60 militantë të saj të vrarë, thjesht për motive pushteti.

Sot ka në nëntokën serbe dhe kosovare 1700 të zhdukur. Nga këta, 1300 janë shqiptarë dhe 400 serbë. Pyetja shtrohet: A mund të kryhet dot një marrëveshje në interes të të dy popujve, që do t’i linte nën dhe këto viktima? Jo dhe jo! Kjo mund të jetë në interes të Vuçiçit, Thaçit e Ramës që u intereson vetëm pushteti e për këtë, të mbajnë gjallë kulturën e pandëshkueshmërisë së më të fortit dhe viktimizimin e të dobëtit, me pasoja që shqiptarët e serbët i vuajnë përditë, por jo në interes të shqiptarëve dhe serbëve. Ata kanë nevojë për një paqe të vërtetë midis tyre dhe jo për marrëveshje që e lënë farën e së keqes nëntokë, të gatshme për të shpërthyer më me virulencë nesër.

Fakti që hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës kryhet nga të huajt është një problem jo i vogël i pakapërcyer kulturor, që e dobëson, në mos e vë në dyshim efikasitetin e tij. Por gjithsesi, gjykoj se moskryerja e këtij procesi është gjë shumë më e rëndë, pasi do të ishte triumf i kulturës së vjetër. Ky proces, me gjithë problemet që mban, është në interes të shqiptarëve dhe jo aq pse do të dënoheshin disa kriminelë që sot, pas njëzet vjetësh, mund edhe të jenë bërë të tjerë njerëz, pse do të hiqeshin qafe disa politikanë të korruptuar, apo pse në rrafsh ndërkombëtar do të pastrohej imazhi i Kosovës. Ai është i rëndësishëm mbi të gjitha sepse do të ndikonte që shqiptarët të kryenin mutacionin kulturor për sa i përket raportit të tyre me drejtësinë dhe shtetin, që do t’i çonte nga shteti i të fortit të pandëshkueshëm dhe i frikës ndaj tij, drejt shtetit të tyre të barazisë përpara ligjit dhe të frikës vetëm përpara ligjit.

(Kosova Sot Online)