Zyra e Presidentit Macron jep detaje të takimit me Avdullah Hotin flasin edhe për videosamitin e Parisit

  • A.P /
  • 08 July 2020 - 11:27
Zyra e Presidentit Macron jep detaje të takimit me Avdullah Hotin flasin edhe për videosamitin e Parisit

Presidenca franceze ka njoftuar sot për takimin së martes të Presidentit Emmanuel Macron me kryeministrin Avdullah Hoti.

Siç thuhet në njoftimin e Presidencës, në takimin mes Macronit e Hotit u diskutua për rinisjen e dialogut Kosovë – Serbi dhe zgjidhjen e problemit mes dy shteteve.

“Presidenti i Republikës priti të martën 7 korrik në Pallatin Elysee Kryeministrin e Kosovës, Z. Avdullah Hoti, për të diskutuar rigjallërimin e dialogut për normalizimin midis Serbisë dhe Kosovës, që është një element thelbësor i stabilitetit  dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivat përkatëse për anëtarësim në Bashkimin Evropian të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Zyra e Macronit ka përmendur në njoftim edhe  mbajtjen e videosamitit, te premten më 10 korrik, të cilin e organizon ai dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Me iniciativën e Presidentit të Republikës dhe Kancelares gjermane, do të mbahet një samit në 10 korrik me videokonferencë për të rihapur dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, i ndërprerë 18 muaj më parë, dhe të lejojë Bashkimin Evropian të lehtësojë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre”.

 “Ky samit do të pasohet nga ai tashmë i zhvilluar në Berlin më 29 Prill 2019. Do të jetë rezultat i hapave që Franca dhe Gjermania kanë ndërmarrë së bashku me Serbinë dhe Kosovën, me qëllim konsolidimin e stabilitetit në Ballkan  dhe forcojnë lidhjet e tyre me Bashkimin Evropian”

(Kosova Sot Online)