Shpresë për miliona njerëz: Një braziliani i shuhen simptomat e HIV-it pa transplant qelizor

  • A.P /
  • 08 July 2020 - 12:22
Shpresë për miliona njerëz: Një braziliani i shuhen simptomat e HIV-it pa transplant qelizor

Një njoftim i rëndësishëm është dhënë në Konferencën e 23-të Ndërkombëtare për HIV/AIDS. Një burri brazilian i janë shuar simptomat e virusit HIV për një kohë të gjatë, duke ngjallur shpresë për zbulimin e një terapie shëruese për sëmundjen vdekjeprurëse.

Shkencëtarët që morën pjesë në këtë konferencë thanë se një burrë brazilian mund të jetë personi i parë në botë që nuk ka pasur simptoma apo pasoja të HIV-it në periudhë afatgjate pasi është trajtuar vetëm me një ilaç antiviral e jo me transplantim të qelizave, shkruan “CNN”.

Ky person ishte diagnostikuar me HIV para tetë vjetësh dhe tash nuk është duke shfaqur shenja të virusit. Megjithatë, në këtë zbulim është i përfshirë vetëm një pacientë dhe punimi shkencor ende nuk është publikuar.

Që nga fillimi i epidemisë së AIDS-it në vitet e tetëdhjeta, vetëm dy persona e kanë larguar virusin HIV në periudhë afatgjate dhe kjo është arritur përmes transplantimit të qelizave. Sipas studimeve, ky proces është i ndërlikuar, i rrezikshëm dhe mund t’i lë njerëzit të ndjeshëm ndaj infeksionit. Për më tepër, transplantimi mund të mos jetë efikas, sepse trupi mund ta refuzojë atë.

Braziliani ishte bërë pjesë e studimit në vitin 2016 dhe ishte njëri nga pesë personat që u trajtuan me një terapi antiretrovirale, e përbërë nga përdorimi i substancave Dolutegravir, Maraviroc dhe 500 miligramë Nicotinamide – një formë e vitaminës B3. Terapia është zbatuar për 48 javë.

Sipas studimit, ky burrë e ndërpreu trajtimin në mars të vitit të kaluar dhe u testua për ADN-në virale çdo tri javë për 57 javë me radhë. Pas 57 javësh, hulumtuesit zbuluan se niveli i HIV-it në ADN-në e tij ishte i pavërejtshëm dhe ai doli negativ në testin për HIV.

Megjithatë, ky studim i ka disa kufizime, përfshirë faktin se në të ka pasur rezultate vetëm një person. Për këtë arsye, nevojiten më shumë studime për të zbuluar nëse rezultate të tilla do të shënoheshin edhe te të infektuarit e tjerë që do ta përdornin këtë terapi dhe për të zbuluar se sa do të zgjasë gjendja e shëndoshë pas përfundimit të trajtimit.

(Kosova Sot Online)