Gucati: Thaçi do të dalë i pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë Speciale

  • E.K /
  • 08 July 2020 - 20:05
 Gucati: Thaçi do të dalë i pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë Speciale

Kryetari Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të dalë i pafajshëm ndaj akuzave të prokurorisë speciale në Hagë.

Madje Gucati këto akuza i quajti të pabaza duke thënë se viktime ishte Kosova.

Tutje, Gucati tregoi se Hashim Thaçi është një ndër themeluesit e UÇK’së dhe se nuk ka asnjë gjykatë që mund ta gjykojë negativisht luftën e UÇK’së.

“Asnjëherë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë frikësuar dhe nuk kanë ngurruar të përballen me drejtësinë si atë vendore por edhe ndërkombëtare, si gjithë luftëtarët e tjerë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaqi do të dalë i pafajshëm kundër akuzave të pabaza dhe të pa qena që po iu bëhen atij dhe shumë ish luftëtarëve të UÇK-së, ne kemi qenë viktima dhe kemi bërë luftën tonë për liri atë edhe çka na ka takuar të luftojmë për atdheun tonë të dashur, Hashim Thaqi një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një ndër shembujt e rrallë në botë me bashkluftëtaret të shumtë të UÇK-së që i treguan botës se si luftohet dhe mbrohet atdheu nga një armik barbar të cilët përdorën çdo mjet të dhunës për të na persekutuar dhe shfarosur nga toka jonë Kosova, të gjithë shqiptarët ku do që janë ndihen krenar me ju Hashim Thaqi dhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për luftën e bërë për shtetin e Kosovës, nuk ka asnjë gjykatë që mund të gjykojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftëtareve të saj”, shkroi Gucati.

Rreth dy javë pasi Prokuroria Speciale në Hagë bëri të ditur se ka dorëzuar aktakuzë ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit si dhe ndaj ish 9 pjesëtarëve të UÇK’së për krime lufte, Presidenti Thaçi sot ka bërë më dije se është ftuar për t’u intervistuar në kryeqytetin holandez. Atje do të udhëtojë të hënën e ardhshme.

Thaçi gjithashtu tha se Kosova edhe pse viktimë, ka bashkëpunuar me organet e drejtëisë. E si rezultat i kësaj, shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosvoës, janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Kosovë dhe jashtë saj.

Tutje, presidenti ftoi qytetarët që t’i përballojnë këto sfida së bashku derisa shumë luftëtarë të UÇK’së do të përballen me drejtësinë ndërkombëtare.                 

Ai edhe njëherë kujtoi se besimi në institucione është e domosdoshme që Kosova të bëhet pjesë e NATO’s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të presidentit Thaçi.

Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.

Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.

Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!

Zoti e bekoftë Kosovën! HTH

(Kosova Sot Online)