Hoti jep detaje nga takimi me presidentin francez Macron

  • E.K /
  • 08 July 2020 - 20:34
 Hoti jep detaje nga takimi me presidentin francez Macron

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka mbajtur sot një konferencë për media ku ndër të tjerash u deklarua për vizitën e tij në Paris.

Ai tha se pati kënaqësinë të takojë presidentin francez, Emmanuel  Macron, ku është konstatuar se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera.

“Për faktin e tillë, Franca mbetet një vend mik i madh i Kosovës pasi ka luajtur rol kyç në të gjitha etapat e ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe vazhdon të mbetet e përkushtuar. Jemi dakorduar të shkëmbejmë informata si qeveri me shtetin francez, në veçanti Ministria e Punëve të Brendshme, sa i përket rendit dhe ligjit, por mbi të gjitha është theksu fakti se jemi treguar kredibil sa i përket liberalizimit të vizave. Do të punohet shumë për të arritur shkëmbimin ekonomik në mes dy vendeve, përfshirë një forum të bizneseve në mes Kosovës dhe Francës, që bëhet në vjeshtë të këtij viti”, tha Hoti.

Hoti bëri të ditur se i ka bërë ftesë presidentit francez për të vizituar Kosovën dhe se i njëjti ka pranuar me kënaqësinë.

“Ka pranuar ftesën me kënaqësi për të ardhur në Kosovë dhe do të njoftohemi më saktë për datën dhe detajet shtesë. Temë e rëndësishme në takim ishte edhe procesi i dialogut, kështu që këtë të premte përmes një video-konference do të mbahet edhe Samiti i Parisit, i organizuar nga presidenti Macron dhe kancelarja gjerman, Angela Merkel. Kam treguar qartë qëndrimin tonë për dialogun me Serbinë, që është proces shumë i rëndësishëm që përmbyll një çështje të hapur mes dy vendeve.Besoj se kisha mirëkuptimin e tij për qëndrimin tonë, për një dialog që rezulton me njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve. Vetëm njohja reciproke përfundimisht e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës dhe i mundëson gjithë regjionit perspektivë. Pres që të premten të zhvillojmë këtë samit dhe të prezantojmë qëndrimin tonë shtetërore sa i përket dialogut. Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim në dialogun Kosovë-Serbi dhe normalisht normalizimi i marrëdhënieve duhet të jetë derivat i njohjes”, shtoi Hoti.

(Kosova Sot Online)