Avokati kosovar: Thaçi mund të jetë ftuar në Hagë për këtë çështje

  • A.P /
  • 09 July 2020 - 07:16
Avokati kosovar: Thaçi mund të jetë ftuar në Hagë për këtë çështje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se të hënën, do të udhëtojë drejt Hagës si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar, dy javë pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale njoftoi se ndaj tij ka ngritur aktakuzë për krime lufte.

Avokati Arianit Koci thotë se është e mundur që Thaçi të jetë ftuar në Hagë për ndonjë çështje tjetër, përveç asaj që i është bërë publike.

 “Prokuroria nuk ka obligim para se ta ngritë aktakuzën, ta ftojë në deklarim të dyshuarin. Kjo ftesë mund t’i ketë dy apo tri opsione; rregulla 86 e rregullores së procedurës dhe provave që gjyqtari i procedurës paraprake, mund ta urdhërojë prokurorin për disa informata shtesë dhe mund të jetë njëra nga kërkesat prej Gjykatës që ta marrë në pyetje Thaçin”, tha Koci, në Klan Kosova.

Ai ka përmendur edhe arsyet tjera ligjore që sipas tij, është ftuar Thaçi të hënën në Hagë.

“Mund të ketë arsye që Thaçi është ftuar për deklarim për ndonjë çështje tjetër penale, që nuk ka të bëjë me krimet e luftës, por që hyn në kuadrin e veprave që janë në kompetencën e Gjykatës Speciale”, ka thënë Koci.

(Kosova Sot Online)