Eskalon krejtësisht debati mes Vjosa Osmanit dhe Teuta Haxhiut

  • A.P /
  • 09 July 2020 - 14:28
Eskalon krejtësisht debati mes Vjosa Osmanit dhe Teuta Haxhiut

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani nuk ia ka dhënë edhe njëherë fjalën deputetes së AAK’së Teuta Haxhiut, ndërsa ajo nuk është ndalur disa minuta duke folur me zë të lartë, pa mikrofon.  

Deputetja Haxhiu nuk e ka parë si serioze thirrjet e kryeparlamentares Osmani për përjashtimin e anëtarëve të Listës Srpska nga Qeveria, të cilët përkrahin vendime të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.

“Unë kisha mbështet, sikur ta ndërronim kushtetutën e vendit dhe t’ia tregojmë vendin edhe Rakiqit edhe kujtdo që vetëm njëherë e përdorë fjalë antikushtetuese, por jo rezoluta koti. Kur ta merr një iniciativë të tillë, mu më ke mbrapa, jo rezoluta të cilat mbesin në sirtarë sa për të bërë pak politikë”m ka thënë Haxhiu, transmeton Gazeta Express.

Osmani i tha se nëse ajo është kundër që zyrtarët e Serbisë ta quajnë Kosovën “Kosovë e Metohi”, duhet ta votojë rezolutën, e të mos e ofendojë personalisht atë.

“Zonja deputete, me fyerjet e tuaja gati në çdo seancë, unë tashmë jam mësuar, nuk mund të thuash se një rezolutë është joobligative e një tjetër po. Rezolutat shprehin vullnetin politik të këtij Kuvendi. Nëse vullneti yt është me hesht kur një zv.kryeministër i Republikës së Kosovës thotë se do t’i bashkohet Vuciqit në betejën e tij për Kosovën e Metohinë, në rregull, voto kundër kësaj rezolute” , ka thënë Osmani.

Pas saj, deputetja Haxhiu ka folur me zë të lartë disa minuta në sallë, por Osmani refuzonte t’ia japë fjalën, duke thënë se askush s’ka të drejtë për replika në atë pjesë. 

(Kosova Sot Online)