Kuvendi sot shqyrton rishikimin e buxhetit

  • A.P /
  • 10 July 2020 - 08:36
Kuvendi sot shqyrton rishikimin e buxhetit

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot prej orës 11:00 për të vazhduar punimet e seancës plenare të një dite më parë.

Në të vërtetë, sot do të ketë edhe një seancë të re gjatë orëve të pasdites, kur kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19 ku është paraparë edhe debat parlamentar.

Gjithsesi, në seancën e paradites, ajo që bie në sy është pika e rishikimit të buxhetit që Qeveria kërkon ta kalojë në Kuvend në mënyrë që t’i hapë rrugë zbatimit të pakos emergjente fiskale.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se ekzekutimi i pagesave prej 170 eurosh si dhe implementimi i masave të tjera është peng i votimit të rishikimit të Ligjit të Buxhetit në Kuvend.

“Ndërsa në momentin kur kalon rishikimi i Buxhetit në Kuvend, përgjegjësia është të Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për masat në mbështetje të sektorit privat dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për masën numër 15”, ka shkruar Bajrami.

(Kosova Sot Online)