Shkaku i koronavirusit, Gjykata në Vushtrri do të procedojë vetëm me lëndët e caktuara dhe ato të natyrës urgjente

  • A.P /
  • 10 July 2020 - 10:21
Shkaku i koronavirusit, Gjykata në Vushtrri do të procedojë vetëm me lëndët e caktuara dhe ato të natyrës urgjente

Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, deri në një vendim tjetër, nuk do të caktoj lëndë të reja, por do të procedojë vetëm me lëndët e caktuara dhe ato të natyrës urgjente.

Këtë e ka konfirmuar gjykatësi mbikëqyrës në detyrë, Ferki Xhaferi.

“Do të trajtojmë vetëm rastet urgjente. Ne do të procedojmë ato raste që i kemi në procedurë apo lëndët e caktuara në korrik, por pa caktuar lëndë të tjera deri në një vendim tjetër”, ka thënë gjykatësi Xhaferi.

Ai tha se këtë vendim e ka marrë kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, me 8 korrik 2020, si rrjedhojë e rasteve të reja të paraqitura me Covid-19, në rajonin e Mitrovicës.

Gjykatësi Xhaferi ka deklaruar që sipas këtij vendimi, prioritet do të kenë lëndët që nuk shtyhen dhe ato të natyrës urgjente.

“Prioritet në gjykime do t’iu jepet lëndëve siç janë masat për sigurimin e pranisë së të akuzuarve – paraburgimeve gjyqësore apo masave tjera , rasteve të dhunës në familje, afatet e afërta për parashkrim të ndjekjes penale”, ka thënë Xhaferi. 

(Kosova Sot Online)