Dështon të nis gjykimi ndaj deputetëve dhe ish-deputeteve për posedimin e gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit

  • A.P /
  • 10 July 2020 - 10:38
Dështon të nis gjykimi ndaj deputetëve dhe ish-deputeteve për posedimin e gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit

Ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj deputetëve aktual Pal Lekaj dhe Donika Kadaj-Bujupi, si dhe ish-deputeteve Besa Baftiu e Albulena Haxhiu, të akuzuar për posedim të gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Seanca e paraparë të mbahet të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u shty për shkak të mungesës së akuzuarës Donika Kadaj-Bujupi, për të cilën mbrojtësi i saj, avokati Sylejman Klinaku

Lidhur me këtë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica u shpreh se gjykata ka prova që është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk është kthyer fletëkthesa në shkresat e lëndës.

Ndërsa të pranishëm në këtë seancë ishin të akuzuarit e tjerë, Pal Lekaj me mbrojtësin e tij, Arianit Koci, Albulena Haxhiu dhe mbrojtësi i saj, avokati Ahmet Ahmeti, kurse në sallë ka munguar mbrojtësi i të akuzuarës Besa Baftiu, avokati Naim Rudari.

Tutje, gjykatësja Krasniqi-Jashanica ka kritikuar prokurorin Ilaz Beqiri për aktakuzën, të cilën e ka cilësuar si të mangët.

“Është një e metë e kësaj aktakuze dhe është dashur të kthehet në plotësim pasi që Albulena nuk ka asnjë të dhënë, vetëm si Albulena Haxhiu dhe as vendbanim në këtë aktakuzë të mangët ti prokuror”, ka thënë gjykatësja Krasniqi-Jashanica.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Koci bashkë me mbrojtësit e tjerë janë deklaruar se nuk kanë pranuar aktakuzën dhe shkresat e lëndës nga prokuroria.

Për këtë, gjykatësja Krasniqi-Jashanica e ka obliguar prokurorin Beqiri që ta pajisë mbrojtjen me shkresat e lëndët.

Ndërkaq, seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 30 korrik 2020, në orën 9:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohet se pa autorizim kanë poseduar armë në atë mënyrë që, më 19 shtator 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit që ju është bërë nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, te ta janë gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtëve duke i ngarkuar secilin veç e veç me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së.

(Kosova Sot Online)