A po mashtron Vuçiq? Nga Parisi thotë se Hoti s’do të shkojë të dielën në Bruksel

  • A.P /
  • 10 July 2020 - 10:58
A po mashtron Vuçiq? Nga Parisi thotë se Hoti s’do të shkojë të dielën në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, dje ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Francë, ku është pritur në Pallatin e Elizesë nga presidenti Emmanuel Macron.

Pas takimit, Vuçiq ka ndarë edhe detaje të bisedës së tij me kreun e shtetit francez. Ai ka thënë se me Macronin kanë biseduar për tri tema kyçe dhe se kanë pasur mirëkuptim për secilën nga to.

“Kemi diskutuar tri tema kyçe. Samitin e Parisit, raportet në mes të serbëve dhe shqiptarëve dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pastaj për raportet bilaterale dhe fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e edukimit, kulturës, ekonomisë dhe investimeve”, ka thënë Vuçiq dje, shkruan RTS.

Sa i përket Samitit të Parisit që do të mbahet sot, Vuçiq ka thënë se me shumë gjasë nuk do të ketë ndonjë deklaratë të përbashkët pas takimit, nga Franca dhe Gjermania.

Kreu i shtetit serb ka folur edhe për takimin e 12 korrikut të planifikuar nga Brukseli. Ai ka thënë se ka gjasa që pala kosovarë të mos udhëtojë drejt Brukselit për takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi.

“Tani sapo e mora një mesazh nga i dërguar i posaçëm i BE’së për dialog, Miroslav Lajçak, dhe do të flas me të sonte për të parë se çfarë do të ndodh. Për të qenë të sinqertë ne po mundohemi të tregojmë se jemi partnerë të sinqertë të BE’së dhe bashkësisë ndërkombëtare, sepse ne nuk duam të ikim nga “temat e vështira”. Më befason kur dikush pranon një takim dhe pastaj thotë se nuk mund të vijë për shkak të rrethanave të brendshme. Imagjinoni sikur unë të them ka protesta dhe nuk mund të vij”, ka shtuar tutje Vuçiq.

(Kosova Sot Online)